Gjykata e Elbasanit ka lënë në burg Poli Boriçin, 52-vjeçarin që tentoi të vriste Ermir Kertezin në një lokal në Elbasan.

Në dëshminë e tij Boriçi tha se s’ka pasur qëllim ta vriste, por vetëm ta frikësonte.

Ngjarja ndodhi rreth orës 12:40 të së shtunës në lokalin në hyrje të qytetit të Elbasanit, i cili në ato momente ishte plot me klientë.

Nga pamjet e siguruara nga Report Tv 50-vjeçari Kërtezi, i veshur me bluzë të zezë, shihet fillimisht brenda lokalit, më pas kalon mes përmes ambienteve të jashtme të barit, dhe ndalet për pak sekonda jashtë.

Lëvizjet e tij ndiqen nga atentatori Poli Boriçi, i cili ishte në kafe në shoqërinë e bashkëshortes. 52-vjeçari Boriçi çohet menjëherë, nxjerr pistoletën, ia vendos në kokë Kërtezit, por arma i bllokohet. Kërtezi reagon shpejt, shtyu atentatorin dhe largohet me shpejtësi.

Boriçi e ndoqi për pak metra dhe më pas u largua nga vendi i ngjarjes. Por policia mundi ta lokalizonte dhe arrestonte vetëm pas disa minutash.

Arma e zjarrit që dyshohet se u përdor në atentat u sekuestrua si provë materiale. Sipas Boriçit, motivi ishte hakmarrja pasi 15 vite më parë, Kërtezi i ka plagosur të vëllain dhe e ka paralizuar. Shënjestra thotë se në fakt, prej 15 vitesh jetojnë në të njëjtën lagje dhe kanë marrëdhënie normale.

Tashmë hetuesit po verifikojnë historinë e konfliktit mes palëve, verifikimin se ç’ka ndodhur 15 vite më parë dhe rrethanat se çfarë ka ndodhur me raportet mes dy familjeve.

Njoftimi i Gjykatës së Elbasanit:

Gjykata e Shkallёs sё Parё e Juridiksionit tё Pёrgjithshёm Elbasan, në kuadër të transparencës dhe me qëllim mirëinformimin e publikut, në vlerësim të interesit të lartë publik, njofton mbi pёrfundimin e shqyrtimit gjyqёsor dhe vendimmarrjen lidhur me kёrkesёn e Prokurorisё pranё Gjykatёs sё Shkallёs sё Parё tё Juridkisionit tё Pёrgjithshёm Elbasan, të përfaqësuar në seancë gjyqësore nga Prokurorja znj. Lorena Salillari, me objekt “Vleftësimin e ligjshëm të arrestit në flagrancë dhe caktimin e masës së sigurimit "Arrest në burg", të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale”, për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 dhe 22 i Kodit Penal, dhe “Mbajtja pа leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit|”, parashikuar nga neni 278, paragrafi i parë i Kodit Penal ndaj personit nën hetim P.B.

Sot, më datë 18.08.2026, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, me trup gjykues Gjyqtaren, znj. Drenica Demiraj, në përfundim të gjykimit, bazuar në nenet 228, 229, 238, 251, 252, 254, 258 dhe 259 të ligjit nr. 7905, datë 21.3.1995, “Kodi i Procedurës Penale i Republikës së Shqipërisë”.

VENDOSI:

1. Pranimin e kërkesës. 

2. Vleftësimin si të ligjshëm të arrestit në flagrancë, të kryer nga policia gjyqësore ndaj personit nën hetim P.B., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale “Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 dhe 22 i Kodit Penal, dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit", parashikuar nga neni 278, paragrafi i parë i Kodit Penal. 

3. Caktimin e masës së sigurimit personal “Arrest në burg”, të parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, ndaj personit nën hetim P.B., si i dyshuar për kryerjen e veprës penale "Vrasja me dashje”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 76 dhe 22 i Kodit Penal, dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, parashikuar nga neni 278, paragrafi i parë i Kodit Penal. 

4. Urdhërohet personi nën hetim P.B., të izolohet në një nga institucionet e ekzekutimit të vendimeve penale për të qenë në dispozicion të organit procedues. 

5. Të paguhet avokati i caktuar kryesisht sipas tarifave shtetërore. 

6. Shpenzimet procedurale dhe gjyqësore lihen siç janë bërë. 

7. Ngarkohet Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe policia gjyqësore për ndjekjen dhe zbatimin e këtij vendimi.

8. Kundër këtij vendimi mund të bëhet ankim në Gjykatën e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, brenda 5 ditëve nga njoftimi i vendimit të arsyetuar të gjykatës Vendimi u shqiptua sot, në Elbasan, me datë 18.08.2026, ora 15:17. GJYKATA E SHKALLЁS SЁ PARЁ E JURIDIKSIONIT TЁ PЁRGJITHSHЁM ELBASAN

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë