TIRANË - Një 51 vjeçar nga Tirana ka rënë në prangat e policisë teksa ka tentuar të mbysë me rripin e pantallonave bashkëshorten dhe djalin e tij të mitur dhe autik. Sipas policisë ngjarja ka ndodhur këtë të shtunë, ndërsa shkak i saj ka qenë problemet ekonomike. Gjithashtu mësohet se burri ka qenë në gjendje të dehur, dhe sipas dëshmisë së gruas ai pothuajse çdo natë shkonte në banesë i pirë. Fillimisht burri është konfliktuar me bashkëshorten e tij, ndërsa mes tyre është futur djali i tyre i mitur ku më pas ka rënë edhe vetë pre e dhunës së të atit. Ndërsa burime nga policia thanë se në trupin e gruas janë gjetur shenja të dukshme dhune.

Ngjarja ka sjellë një tjetër tronditje në familjet shqiptare, pasi ky është rasti i dytë brenda pak ditësh që një grua dhunohet nga burri me rripin e pantallonave me rrezik për jetën. Vetëm pak ditë më parë në fshatin Shëngjergj të Tiranës, burri vrau gruan e tij me rripin e pantallonave, pasi kjo e fundit i kishte treguar atij se e kishte tradhëtuar gjatë kohës që çifti i bashkëshortëve kishin qenë të ndarë. Fatmirësisht dje gruaja tjetër shpëtoi nga mbytja nga ndërhyrja në kohë e djalit.