TIRANE - Grabitja e një argjendarie në kryeqytet pranë rrugës së Kavajës ka mbetur thjesht një tentativë, pasi autori nuk ka marrë asgjë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 14:30 të ditës së sotme, teksa një person i armatosur, ka hyrë brenda argjendarisë në rrugën e Kavajës pranë Poliklinikës numër 9, me tendencën për ta grabitur atë.

Autori, i cili ishte i pajisur me një kapele të zezë në kokë, është paraqitur në argjendari si klient, ndërsa më tej ka kërcënuar me armë shitësen për t’i dorëzuar argjendaritë e ndodhura në dyqan. Ky veprim ka hasur në rezistencën e shitëses, e cila njëkohësisht ka aktivizuar dhe sistemin e alarmit.

Forcat e komisariatit numër 2 të të policisë së Tiranës, kanë mbërritur në vendngjarje, por nuk kanë mundur të kapin në flagrancë autorin, i cili u largua nga argjendaria menjëherë pas aktivizimit të sistemit të alarmit nga ana e shitëses.

Mësohet se gjatë largimit nga vendi i ngjarjes, autorit i ka rënë kapelja që mbante në kokë, ndërsa policia mund të zbulojë identitetin e tij nga shenjat e gishtave të lëna në argjendari.

Argjendaria në të cilën u tentua grabitja ishte e pajisur me kamera sigurie, të cilat kanë kapur edhe imazhin e autorit. Sipas hetimeve paraprake të policisë, mendohet se autori të jetë i moshës 16-17 vjeç, i veshur me pantallona të shkurtra dhe bluzë me mëngë të shkurtra dhe me kapele të zezë në kokë.

(Gre.M/Shqiptarja.com)