Disa mallra me vlerë rreth 8000 euro janë sekuestruar në Portin e Vlorës, pasi dyshohet se ishin mallra kontrabandë.
Policia Kufitare ka kryer kontroll në një mjet lundrues ‘Pilotinë’ (anije e shërbimit detar që përdoret për punime në Port), ku shtetasi R. B. po transportonte mallra nga trageti, me qëllim shmangien e detyrimeve doganore.

Gjatë kontrollit u gjetën dhe u sekuestruan, në cilësinë e provës materiale, veshje të ndryshme me vlerë rreth 8000 euro, të dyshuara të kontrabanduara, të cilat do t’i merrte shtetasi E. P., me qëllim tregtimin e tyre.
Në përfundim të veprimeve u arrestuan në flagrancë shtetasit: R. B., 64 vjeç, banues në Vlorë, drejtues i mjetit lundrues “Pilotinë”; E. P., 35 vjeç, banues në Vlorë, administratori i një subjekti tregtar.
Vijon puna për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Vlorë, për veprime të mëtejshme procedurale.

