Dy persona nga Kosova do të hetoehen në gjendje të lirë pasi tentuan të futnin nëpërmjet pikës kufitare të Morinës 27 550 euro – pa i deklaruar.

Paratë e gjetura nga kontrolli fizik u sekuestruan si provë materiale.

“Në vijim të kontrolleve në hyrje/dalje, ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat lëvizin, me qëllim parandalimin dhe goditjen e paligjshmërive në kufi, shërbimet e Policisë Kufitare të PKK Morinë konstatuan 2 raste të tentativës për të futur në Republikën e Shqipërisë, shuma parash, pa i deklaruar konform ligjit. Konkretisht, për këto raste, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për shtetasit kosovarë:

A. G., 51 vjeç, banues në Suedi, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjetën 12 550 euro;

A. G., 44 vjeç, banues në Suharekë, pasi gjatë kontrollit fizik, iu gjetën 15 000 euro”, njoftoi sot policia.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.