TIRANË- Gjykata e Apelit të Tiranës ka ndryshuar vetëm për njërin prej masave të sigurisë për të arrestuarit të tentativës së vrasjes ndaj biznesmenit Andon Dhima në muajin tetor në Tiranë.

“Arrest në shtëpi” ka caktuar Apeli për 30-vjeçarin Mariglen Metohiti, i cili dyshohet se në ngjarje ka patur rolin e vëzhguesit. Apeli ka lënë pa ndryshuar masën e sigurisë “arrest me burg” për tre të arrestuarit e tjerë Grid Lena, Albin Hoxha dhe Enea Hoxha. 

Ata akuzohen për veprat penale “Vrasja” e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të zjarrit dhe armëve të ftohta” dhe “Mbajtja pa të drejtë e uniformës”.

Ngjarja ndodhi në datën 15 tetor përballë stadiumit ”Dinamo”, në hyrjen e pallatit ku banon biznesmeni Dhima. Ishte vetë ai që denoncoi se autorët me maska dhe të armatosur e kanë ndjekur.