TEPELENË-2 persona janë arrestuar dhe një tjetër po procedohet penalisht në gjendje të lirë në Tepelenë, pasi akuzohen për kultivim të kanabisit në oborrin e banesave të tyre. Gjatë operacionit të koduar "Veliqoti" u vunë në pranga shtetasit R. S., 23 vjeç dhe A. C., 40 vjeç, banues në fshatin Veliqot, Tepelenë, si dhe u procedua penalisht në gjendje të lirë për shkak të moshës, shtetasi L. B., 79 vjeç.
Gjatë kontrollit të policisë u zbulua se të tre këta shtetas kishin kultivuar disa rrënjë kanabis në oborret e banesave të tyre, konkretisht 27 rrënjë në një banesë, 19 në banesën tjetër dhe 16 rrënjë kanabis në oborrin e banesës tjetër.
Policia njofton se kontrolli i territorit nga toka dhe nga ajri duke përdorur dronë do vijojë pandërprerë, me qëllim evidentimin, parandalimin dhe goditjen e çdo tentative për kultivim të bimëve narkotike.