TEPELENE - Pas gërmimeve të cilat nisën këtë të hënë, në Dragot të Tepelenës janë zbuluar eshtrat e para të ushtarëve grekë të rënë në Luftën e Dytë Botërore. Lajmi është bërë publik nga një postim i Ministrisë së Jashtme të Greqisë në faqen zyrtare të saj, ku ka hedhur edhe fotografitë e gjetjeve të para.

“Një moment historik, zbulimi i parë i eshtrave të dy grekëve të rënë. Punimet filluan sot në prani të një grupi pune miks greko-shqiptar në një atmosferë emocionuese”, thuhet në postimin e Ministrisë së Jashtme greke. Fillimin e punimeve e ka përsëhndetur edhe ministri i Jashtëm i Greqisë, Nikos Kotzias me anë të një postimi në rrjetet sociale.

Nisjen e gërmimeve qeveria greke e vlerësoi si moment historik dhe pjesë të zbatimit të marrëveshjes mes dy vendeve, pas negociatave Bushati-Kotzias në Kretë dhe Korçë. Nisja e gërmimeve u prit edhe me protesta, ku një grup protestuesish tentuan të shembin gardhin rrethues të kantierit.

Një vendim i qeverisë shqiptare në muajin dhjetor 2017 lejoi gërmimet për gjetjen e ushtarëve grekë të rënë në Shqipëri gjatë Luftës Italo-Greke në vitet 1940-1941. Gërmimet në Dragot të Tepelenës po ndiqen nga një komitet i përbashkët shqiptaro-grek.

eshtrat
(Eshtrat dhe medalja që ka mbajtur ushtari grek i rënë në Dragot)

Ushtarët e gjetur të varrosur nga italianët
Nga të dhënat e para që dalin nga fotografia e një prej ushtarëve të gjetur në Dragot të Tepelenës duke se grekët këtu janë varrosur nga ushtria italiane. Në fotografi duket një pllakat metalik ku shkruhet numri i identifikimit të ushtarit,(2095 P) si dhe grada e tij (Caporale - tetar) i cili nga shkrimi në italisht thuhet se është grek (Greco, në italisht) dhe lë të kuptohet se është varrosur nga italianët, si dhe eshtrat e ushtarit tjetër.

Nga ajo që duket në fotografi objekti metalik ku shkruhen të dhënat e ushtarit nuk është një medalion i zakonshëm nga ato që mbajnë ushtarët për t’u idendifikuar në rast se vriten gjatë luftës, por një objekt identifikues që është future në varr nga ushtarakët italianë që i kanë varrosur.

“Armiq në luftë, miq në vdekje”
Mediat greke kanë bërë me dije se gërmimi në këtë zonë ka filluar sipas hartave të përpiluara nga ushtria italiane e kohës për varrezat e përkohshme ku italianët kanë varrosur ushtarët grekë. Madje ato citojnë burime ushtarake që tregojnë se në disa prej tyre italianët kanë shkruar:

“Armiq në luftë, miq në vdekje”. Kështu këta ushtarë grekë që kanë rënë në Dragot, por edhe shumë të tjerë në zona të tjera të luftimeve, janë varrosur nga italianët kur ata janë vrarë në zona që kanë qenë nën kontrollin e ushtrisë italiane.

Grekët: Janë 6.800 deri në 8.000 të rënë
Në fshatin Dragot të Tepelenës sipas palës greke duhet të jenë varrosur rreth 80 ushtarë. Ndërsa sipas parashikimeve të palës greke janë rreth 6.800 deri në 8.000 ushtarë grekë që kanë rënë në tokën shqiptare, të cilët ose janë varrosur në mënyrë të provizore ose nuk janë varrosur fare. Këta ushtarë janë vrarë në periudhën janar 1940-prill 1941 kur në gjithë frontin nga Tepelena e deri në Korçë ka pasur luftime të egra me shumë të vrarë nga të dy palët.


ministria
(Postimi në faqen e Ministrisë së Jashtme greke mbi zbulimin e eshtrave të ushtarit grek)

[gallery]25386[/gallery]

 

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com