Ka ndërruar jetë sot në moshën 93-vjeçare shkrimtari dhe studiuesi i njohur i etnomuzikologjisë dhe etnokoreografisë, Ramazan Bogdani.

Bogdani, i cili mban titullin ‘Mjeshtër i Madh’, u lind në Tiranë në vitin 1933. Më pas ndoqi më 1948-1952 liceun artistik "Jordan Misja" dhe në 1960-1963 Institutin Pedagogjik dyvjeçar "Aleksandër Xhuvani", dega Histori - Gjuhësi.

Bogdani ka përfunduar studimet e larta në Universitetin e Tiranës në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë (1965-1969) dhe është diplomuar me temë nga Etnografia Shqiptare.

Në vitin 1967 ai filloi punën si punonjës shkencor në Institutin e Kulturës Popullore, pranë Akademisë së Shkencave të Shqipërisë në Tiranë.

Aktiviteti i tij në ketë institucion vazhdoi deri në daljen e tij në pension. Bogdani është autor i disa librave etnografikë me rëndësi për kulturën shqiptare.