Partia e Lirisë do të kërkojë dëgjesë urgjente me Ministren e Shëndetësisë, Evis Salën, në komisionin parlamentar për vendimin e ofrimit të terapisë hormonale në QSUT.

Para Ministrisë së Shëndetësisë, zv/presidentja Erisa Xhixho shprehet në një deklaratë se do të përdoret çdo mjet i disponueshëm për transparencë dhe llogaridhënie.

“Do të përdor çdo mjet institucional, parlamentar dhe ligjor për të kërkuar transparencë të plotë mbi këtë udhëzim, për të kundërshtuar çdo vendim të marrë pa konsultim publik dhe për të mbrojtur interesin më të mirë të fëmijëve, të drejtën e prindërve për t’u dëgjuar dhe të drejtën e çdo qytetari për një sistem shëndetësor që vendos jetën dhe shëndetin në vend të parë”, shprehet Xhixho.

Në deklaratën e saj, ajo thotë se udhëzimi injoron transparencën, debatin publik dhe mbrojtjen maksimale të interesit të fëmijës.

Gjithashtu shton se pacientët dhe spitalet vuajnë nga mungesa e pajisjeve, medikamenteve dhe shërbimeve bazë.

“Në këtë situatë dramatike, qeveria gjen fonde për të financuar trajtime hormonale, por nuk gjen fonde për të garantuar ilaçet që shpëtojnë jetën e të sëmurëve me kancer. Kjo nuk është çështje fondesh. Kjo është çështje prioritetesh”, shprehet Xhixho duke e nënvizuar “shëndetësinë falas” si “mashtrimin më të madh” ndaj qytetarëve.

Në fund, Xhixho shprehet se çdo politikë publike që prek familjen duhet të ketë në qendër forcimin e saj, mbrojtjen e fëmijëve dhe garantimin e shërbimeve shëndetësore.