Më shumë se dy javë pasi Ministria e Shëndetësisë miratoi udhëzimin për terapinë hormonale të personave transgjinorë në sistemin publik, debati politik mbi këtë çështje nuk është shuar. Ndonëse në QSUT nuk është paraqitur ende asnjë person për të përfituar nga ky shërbim, deputeti demokrat Bardh Spahia ka dalë me një deklaratë të re, ku akuzon qeverinë se po financon trajtime që sipas tij rrezikojnë fëmijët dhe familjen shqiptare.
Spahia tha të martën se “rreziku për familjen shqiptare tashmë është vulosur nga qeveria”, duke pretenduar se ekzekutivi i ka hapur rrugë ndryshimit të gjinisë edhe për fëmijët përmes financimit shtetëror të terapisë hormonale.
“Rreziku për familjen shqiptare tashmë është vulosur nga qeveria, e cila i ka hapur rrugë ndryshimit të gjinisë edhe për fëmijët përmes financimit shtetëror të terapisë hormonale. Ne e paralajmëruam këtë deformim të ADN-së së familjes shqiptare, që kur kundërshtuam me të drejtë ligjin ‘Për Barazinë Gjinore’”, deklaroi ai.
Deputeti demokrat tha se Ministria e Shëndetësisë ka vënë në lëvizje fondin që financon trajtimin hormonal në shërbimin e endokrinologjisë pranë QSUT-së dhe akuzoi qeverinë se po i jep përparësi kësaj politike ‘të mbrapshtë’ në vend të problemeve të tjera të sistemit shëndetësor.
“Partia Demokratike e refuzon me forcë këtë politikë të mbrapshtë qeveritare, që nuk siguron shërbimet jetike si për shembull trajtimet në onkologjik, por vendos milionë lekë nga taksat tona që dikush të ndryshojë gjininë që i ka dhënë natyra e Zoti”, u shpreh Spahia.
Ai ngriti edhe shqetësimin për atë që e cilësoi si pengim të një nisme të deputetëve demokratë për projektligjin “Për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga propaganda gjinore në Republikën e Shqipërisë”.
“Gjithashtu, dua të bëj publik shqetësimin tonë për pengimin e paprecedentë që po i bëhet nga ana e mazhorancës nismës së një grupi deputetësh të Partisë Demokratike mbi projektligjin ‘Për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve nga propaganda gjinore në Republikën e Shqipërisë’. Kjo nismë synon krijimin e një kuadri të plotë ligjor për mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve deri në moshën 22 vjeç nga çdo formë përmbajtjeje, ndikimi apo propagande që trajton çështje identiteti gjinor”, tha ai.
Spahia u ndal edhe te moshat e përfshira në udhëzimin e Ministrisë së Shëndetësisë.
“Sipas urdhrit të Ministrisë së Shëndetësisë, trajtimi terapeutik hormonal bazë nis që nga mosha 16-vjeç dhe në raste të veçanta mund të nisë nga mosha 14-vjeçare. Pra, me pak fjalë, çdo fëmijë shqiptar është potencialisht i rrezikuar të përjetojë pasoja të pakthyeshme fizike dhe psikologjike nga këto ndërhyrje”, deklaroi ai.
Debati nisi pas miratimit të një udhëzimi të Ministrisë së Shëndetësisë, i publikuar në fund të majit, që përcakton kriteret mjekësore, procedurat klinike dhe monitorimin për terapinë hormonale të personave transgjinorë. Dokumenti parashikon që trajtimi të ofrohet në Shërbimin e Endokrinologjisë në QSUT dhe përcakton procedurat që duhet të ndiqen përpara nisjes së terapisë.
Që prej publikimit të udhëzimit, ai është kundërshtuar nga Partia Demokratike dhe nga “Koalicioni Pro Familjes”, i cili organizoi edhe një protestë para Ministrisë së Shëndetësisë duke kërkuar shfuqizimin e tij.
Nga ana tjetër, Ministria e Shëndetësisë sqaroi pak ditë më parë se deri tani nuk është paraqitur asnjë person për të kryer terapi hormonale në QSUT. Shefi i Shërbimit të Endokrinologjisë, Agron Ylli, deklaroi se gjatë periudhës maj-qershor nuk ka pasur asnjë rast të referuar për këtë trajtim.
Po ashtu, zv.ministrja Eugena Tomini deklaroi se udhëzuesi i referohet personave madhorë dhe se rekomandimi është për moshën adulte mbi 18 vjeç, në përputhje me legjislacionin shqiptar.
Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, udhëzuesi është hartuar në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe për përafrimin e praktikave shqiptare me standardet ndërkombëtare.
Komente









