Deklarata e presidentit të Shteteve të Bashkuara Donald Trump një ditë më parë se Uashingtoni do të tërhiqet nga Traktati i Armëve bërthamore me Rusinë, ka ngjallur reagime të forta nga ana e përfaqësuesve të Kremlinit. Duke e konsideruar planin e presidentit Trump një hap të rrezikshëm dhe një shkelje të dispozitave të marrëveshjes së vitit 1987, Kremlini ka kërcënuar së fundmi se do të jetë i detyruar të përgjigjet me prodhimin e raketave të reja me rreze të gjatë dhe të shkurtër veprimi, nëse SHBA-të e ndërmarrin një hap të tillë.
Një ditë më parë presidenti Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara do të prodhojnë armë të reja nëse Rusia dhe Kina nuk bien dakord për ndalimin e tyre. "Ne do ta bëjmë këtë nëse Rusia dhe Kina nuk vijnë të na thonë: 'Të marrim një vendim të mençur për të mos prodhuar këto lloje armësh'. Por është e papranueshme që Rusia dhe Kina shkelin marrëveshjne ndërkohë që ne e respoektojmë atë,”- u shpreh Donald Trump.
Sipas mediave ai ka thënë se janë shkelur kushtet e traktatit që ndalojnë SHBA-të dhe Rusinë që të posedojnë, prodhojnë ose testojnë fluturimet e raketave bërthamore të nisura, me një distancë prej 500 deri 5.500 kilometra. Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov citohet të ketë thënë se "do të ishte një hap shumë i rrezikshëm". Të njëjtën gjë ka shprehur edhe zëdhënësi i presidentit Vladimir Putin, Dimitry Peskov.
Marrëveshja u negociua në fund të viteve 1980, dhe është nënshkruar nga Presidenti i atëhershëm amerikan Ronald Reagan dhe ish-udhëheqësi sovjetik Mikhail Gorbaçov. Traktati parashikon eliminimin e raketave bërthamore dhe konvencionale me rreze të shkurtër dhe mesme veprimi nga Shtetet e Bashkuara dhe Rusia.