PRISHTINË, 19 Janar /ATSH/.- Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës në të cilën pritej të shqyrtohej për herë të parë projektligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndërmarrjet publike, filloi me kërkesën e kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, që të mos shqyrtohet kjo pikë e rendit të ditës.
Mustafa tha se "projektligji për plotësimin e ligjit për ndërmarrjet publike është duke u përgatitur për një kohë të gjatë, ndërkohë janë ballafaquar me një problem sa i përket funksionimit të Trepçës".
"Qëllimi themelor është që të pamundësojmë falimentimin e Trepçës sepse nuk është në interes të punëtorëve dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës", tha ai duke shtuar se përkundër faktit se këtë ligj e ka sjellë qeveria, tashmë është vërejtur që duhet të rishikohet edhe një herë nga qeveria për shkak se janë shumë elemente që duhet të shqyrtohen, sidomos detyrimet kreditore.
Mustafa u shpreh se "kemi konstatuar se janë shumë elemente që duhet të shqyrtohen, sidomos ato që kanë të bëjnë me obligimet, përkatësisht detyrimet kreditore të cilat sipas informatave mund të shkojnë deri në 1.4 milardë euro dhe për të cilat ne duhet të vendosim pas një analize më të qartë se si ato detyrime të adresohen, prandaj kjo është arsyeja themelore që sot në këtë mbledhje të mos shqyrtohet ky rend dite, që ne si qeveri të shqyrtojmë sot këtë ligj, ta sjellim në Kuvend dhe se nesër Kuvendi të trajtojë këtë ligj".
Ai ka propozuar që sot gjatë ditës të mbahet një seancë tjetër dhe të shqyrtohet projektligji për riorganizimin e ndërmarrjeve të caktuara dhe pasurisë së tyre, në mënyrë që mos të mund të aktivizohen procedurat e falimentimit të Kombinatit Trepça.
"Ligjin do t'ua sjellim nesër me propozim që ndryshimin e ligjit për ndërmarrje publike, ndërmarrja publike Trepça të organizohet me ligj të veçantë", tha ai.
Në anën tjetër kryetari i Kuvendit të Kosovës Kadri Veseli ftoi shefat e grupeve parlamentare që të takohen në mbledhjen e kryesisë së Kuvendit për të vendosur nëse do të mbahet seancë në orën 14:00 ashtu siç ka kërkuar kryeministri Isa Mustafa.
Seanca filloi me një orë e gjysmë vonës për shkak se Mustafa kishte një takim me Grupin Parlamentar të LDK-së, me të cilët u dakordua me këto propozime. /Kosovapress/k.s/









