Dridhet toka shqiptare. Një tërmet i fuqishëm me epiqendër Veriun e vendit është ndier deri në Shqipërinë e Mesme dhe përtej kufijve, në Kosovë, Mal të Zi e Serbi.
 
Tërmeti ka qenë i fuqisë 5.2 ballë i shkallës Rihter me epiqendër Kurbneshin, në Mirditë, rreth 55 km nga Tirana. Lëkundjet e forta janë ndier në kryeqytet dhe disa qytetet të tjera të vendit. 

Tërmeti është ndjerë në Elbasan, Krujë, Laç, Bulqizë, Lezhë, Durrës, Shkodër, Kukës etj. 

Nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa mësohet se ka dëme materiale në disa banesa të vjetra dhe të pabanuara në fshatrat përreth Mirditës. 

Tërmeti ka shkaktuar jo pak panik te qytetarët, pasi goditja ka qenë mjaft e fortë dhe zgjati deri në 10 sekonda. 

Raportohet gjithashtu se lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në disa vende të rajonit. 

Ora 18:50 Tërmeti shemb pjesërisht një banesë në Mirditë
Tërmeti me magnitudë 5.2 ballë i shkallës Rihter me epiqendër në Mirditë, ka shembur pjesërisht një banesë në fshatin Perlat. 

Shtëpia ka qenë e banuar, por fatmirësisht nuk ka të lënduar në njerëz. 

Siç duket edhe në këtë foto të siguruar nga Shqiptarja.com, një pjesë e murit të shtëpisë është shembur nga vala e goditjes së tërmetit. 
shemben shtepiat
(Banesa e shembur pjesërisht në fshatin Perlat)

Ora 17:15 Sizmologu Koçi: Kemi të bëjmë me një tërmet të fortë
Tërmeti që goditi thuajse gjithë veriun e vendit, i cili u ndje edhe në Tiranë, hyn te tërmetet me lëkundje të fortë.

Një gjë të tillë e ka konfirmuar për Report Tv, Drejtori i Departamentit të Sizmologjisë, Rexhep Koçi.
 
Ai theksoi gjithashtu se tërmeti është shoqëruar edhe me tërmete të tjera, por kanë qenë me magnitudë më të dobët. 
 
"Këto lloj tërmetesh, me një shkallë të tillë, shoqërohen edhe me dëme në banesa, kryesisht në ato me shkallë të lartë amortizimi. Ka disa dëme nga ky tërmet, por për kategorinë e banesave të dëmtuara nuk kemi informacione.
 
Tërmeti është ndjerë edhe në disa qytete të Kosovës.
 
Sa herë që tërmetet futen tek ato tërmetet mesatare të forta, shoqërohen me pasgoditje, edhe ky tërmet ka pasur pasgoditje, por janë më të dobët. Kjo është praktika e çdo tërmeti
", u shpreh Drejtori i Departamentit të Sizmologjisë, Rexhep Koçi.