KORÇË- Një tërmet 5.2 ballë ka goditur Korçën në orën 05:25 të mëngjesit të sotëm. Sipas Institutit të Gjeoshkencave epiqendra e tërmetit ka qenë në fshatin Miras, 11 km nga Korça me thellësi 25 km. Banorët kanë dalë nga shtëpia për shkak të frikës së një lëkundjeje të dytë.

Raportohet se nga tërmeti janë shkaktuar dëme të shumta materiale, ndërkohë që banorët e prekur nga tërmeti i qershorit në zonat e Qafëzezës dhe Vidohovës, shtëpitë e të cilëve nuk janë riparuar ende pretendojnë se dëmet janë thelluar. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë edhe në qytetet e tjera të vendit.

Në fillim të verës që lamë pas, më 1 qershor, një tjetër tërmet i fuqishëm goditi zonën e Korçës, ku u rrënuan mbi 100 banesa. Epiqendra e këtij tërmeti që la jashtë për disa javë banorët, ishte në fshatin Floq dhe u ndje në disa zona përreth. Tërmeti ishte i shkallë rihter, 5.3 ballë, që më pas u shoqërua me të paktën 20 lëkundje nga të cilat 6 ishin më të forta.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:59
Banorët e prekur nga tërmeti: Zhveshur kemi dalë jashtë...i lutemi qeverisë të vërë dorë

Banorët e fshatit Vidovë në Korçë, kanë theksuar se tërmeti u ka shkatërruar banesat duke i bërë të pabanueshme.

Ndër të tjera banorët janë shprehur se janë të tmerruar dhe kanë frikë që të hyjnë brenda banesave për shkak të çarjes së mureve.

"I lutem qeverisë, se ky tërmet ishte më i rëndë. Kisha dëme por këtë radhë kam dysfish dëme. hajde shikojeni, nuk kemi ku ta kalojmë natën, ndihemi shumë të rrezikuar. Nuk kemi ku të ikim. Ishte i tmerrshëm, ishte më i fuqishëm se i pari, i bëj thirrje shtetit të vijë komisioni të kontrollojë. " ka thënë një banorë.

Ndërkohë një banorë tjetër është shprehur edhe pse inxhinierët kanë shkuar nuk kanë prekur asnjë gurë, dhe se kanë bërë proces verbale sipas dëshirës.

"Është shumë ftohtë. A bëhet muri atje? Të bëhet sa më parë, nuk kam shpresa. Asnjë gurë nuk kanë vënë në shtëpi. Ka tre muaj, kam një dhomë të vogël sa me fut kokën çfarë të bëjë." është shprehur një banor tjetër.

"Zhveshur kemi dalë jashtë..., Më ka ikur muri poshtë. Tërmeti e thelloi akoma më shumë, ka ikur 10 cm muri me murin. I kërkova bashkisë çadër. Skam ku të fle. Këtu u bë sipas hatrit të inxhinierit. Asgjë nuk na u është bërë. Inxhinieri ua bëri kushërinjve." ka deklaruar një banor i zonës. 

Ora 11:37
Tërmeti thellon dëmet në Vidohovë, banori: Asnjë riparim që nga qershori, dua shtëpinë nuk dua para

Një banorë i fshatit Vidohovë duke folur për Report Tv ka deklaruar se dëmet pas tërmetit të rënë mëngjesin e sotëm janë thëlluar dëmet e tërmetit të qershorit. Sipas tij që në atë periudhë nuk është bërë asnjë riparim, ndërsa ka thënë se është tmerruar nga lëkundjet.

"Ka qene i pari edhe i dyti që ka bërë dëme. Kemi frikë, ku të vemi. Nuk e di cdo të bëjmë. Ndihem i rrezikuar. Ata vijnë bëjnë cbëjnë e ikin. Ca i dua paratë kur nuk kam shtëpi. Jemi katër veta në këtë banesë. Dua shtëpinë nuk dua para. Deri më tani asnjë riparim nuk është bërë. "  

Ora 11:19
Lëkundjet e tërmetit thellojnë dëmet në Vidohovë të Korçës, banorët: U tmerruam, jemi në qiell të hapur

Lëkundjet e tërmetit të rënë mëngjesin e sotëm në fshatin Miras të Korçës, kanë shkaktuar dëme të tjera në dy fshatrat përreth Vidohovë e Qafzezë. Në të dy këto fshatra është thelluar shkatërrimi i banesave.

Banorët e Vidohovës që janë prekur nga lëkundjet janë shprehur se janë tmerruar teksa kanë parë banesat e tyre të shemben.

"U tmerruam. Ishte tërmeti më i fuqishëm se ai i qershorit. Kemi mbetur në qiell të hapur. I kishim banesat e dëmtuara tani na u shkatërruan totalisht. Askush s'ka bërë asnjë gjë. Do flemë jashtë. Nuk kemi zgjidhje tjetër. Kërkojmë çadra dhe ndihma . Eshtë ftohtë." ka thënë banorët.