Numri i të vdekurve nga tërmeti i fuqishëm që goditi Mianmarin një ditë më parë ka arritur në 1641, ndërkohë raportohet se të paktën se mbi 2 mijë kanë mbetur të plagosur.
Lajmin e konfirmoi sot udhëheqja ushtarake e vendit për median shtetërore.
Pas kësaj tragjedie BE ka njoftuar se do të japë 2.5 milionë euro ndihmë për Mianmarin.

Kjo ndihmë humanitare do të shërbejë për shpëtimin e jetëve dhe nevojat që kanë njerëzit që u prekën nga kjo katrastrofë natyrore.
“Komisioni i BE, së bashku me partnerët tanë humanitar, po vlerësojnë situatën dhe nevojat në terren, me synimin për të mobilizuar ndihmën e mëtejshme. Me këto fonde, financimi total i BE-së për ndihmën humanitare për Mianmarin rritet "në mbi 35 milionë euro në 2025", thuhet në shënimin e tyre.
Po ashtu edhe Korea e Jugut do të ofrojë 2 milionë dollarë ndihmë humanitare për Mianmarin përmes organizatave ndërkombëtare si ndihmë fillestare, tha të shtunën ministria e saj e jashtme.
Tërmeti me magnitudë 7,7 ballë Rihter goditi dje Mianmarin qendror, në një thellësi prej 10 kilometrash. Ai u pasua pak minuta më vonë nga një pasgoditje me magnitudë 6,7 ballë. Instituti gjeozizmik italian, tha se goditja kryesore ishte 300 herë më e fuqishme se ajo e Amatrice në vitin 2016.
Ndërkohë Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) një ditë më parë thanë se vdekjet mund të variojnë nga 1000 deri në 10000.
Marrja e informacionit nga situata në Mianmar ka qenë e vështirë pasi vendi ka qenë në trazira politike që kur një junta ushtarake mori pushtetin në një grusht shteti të vitit 2021.
Miliona njerëz janë zhvendosur nga luftimet e vazhdueshme në vend.
Tërmeti me magnitudë 7.7, që goditi Mianmarin, u ndje fuqishëm edhe në kryeqytetin e Tajlandës, Bangkok.
Një video e cila ka bërë xhiron e rrjetit tregon momentin e frikshëm kur një çift turistësh rrezikuan të binin nga pishina e një “qiellgërvishtëseje”, teksa po flinin në një dyshek me ajër.
Foto: Një punonjës i kërkim shpëtimit në rrënojat e një ndërtese
Tërmeti me magnitudë 7.7 që goditi Mianmarin një ditë më parë, shkaktoi energjinë ekuivalente të më shumë se 300 shpërthimeve të bombave atomike, sipas një gjeologe, teksa paralajmëroi se pasgoditjet ka të ngjarë të vazhdojnë të tronditin rajonin.
“Forca që lëshon një tërmet si ky është rreth 334 bomba atomike”, tha gjeologia, Jess Phoenix
Ajo paralajmëroi gjithashtu se pasgoditjet mund të zgjasin për disa muaj pasi pllaka tektonike indiane vazhdoi të përplasej në pllakën euroaziatike nën Mianmar, shkroi CNN.
Phoenix shtoi se shkatërrimi në Myanmar do të përkeqësohet vetëm nga lufta civile në vend.
“Ajo që normalisht do të ishte një situatë e vështirë bëhet pothuajse e pamundur,” tha ajo.
Komente

