Një ditë pas tërmeti të ditës së djeshme, Emergjencat Civile kanë dhënë informacione për situatën dhe masat e marra në Mat.
 
Mësohet fatmirësisht se nuk ka asnjë person të lënduar por tërmeti ka shkaktuar dëme të pjesshme në disa objekte në bashkinë Bulqizë dhe Klos.

Grupet e punës po kryejnë verifikimet në terren edhe gjatë ditës së sotme do të përcaktojnë plotësisht dëmet në total të shkaktuara nga tërmeti i ditës së djeshme.

Bashkia Bulqizë
Shkolla e mesme e bashkuar ‘’Asllan Keta’’, njësia administrative Fushë Bulqizë, shkolla 9-vjeçare "Godvi", njësia administrative Zerqan dhe shkollat 9-vjeçare "Xhevdet Doda" dhe ‘’Shefqet Pançi’’ në qytetin e Bulqizës kanë pasur dëmtime të lehta, por objektet nuk paraqesin probleme dhe procesi i mësimdhënies vijon normalisht.
 
Qendra Shëndetësore në fshatin Zerqan, njësia administrative Zerqan, ka pasur çarje të mureve dhe dëmtim në tavanin e saj. Objekti është i amortizuar ndër vite dhe lëkundjet e tërmetit kanë sjellë dëmtim të pjesshëm të tij, duke bërë që të mos funksionojë normalisht.
 
Bashkia Klos
Në njësinë administrative Xibër është dëmtuar banesa e H.A e cila është bërë e pa banueshme.
 
7 banesa në fshatrat Gur i Bardhë, Xibër, Kurdari, Kurqelaj dhe në Shëngjun, kanë pësuar çarje të mureve dhe suvave.
 
Lëkundet Shqipëria, tërmet me magnitudë 4.4 ballë
Ditën e djeshme janë ndjerë lëkundje të fuqishme gjatë mesditës. Lëkundjet janë ndjerë rreth orë 12:30 të ditës së sotme.

Epiqendra e tërmetit ka qenë në fshatin Vinjollë, bashkia Mat, 13 km Veriperëndim të Bulqizës dhe 17 km në Juglindje të qytetit Burrel. Lëkundjet e tërmetit janë ndjerë dhe në territoret e qarkut Tiranë, Dibër dhe Elbasan.
 
Redaksia Online
(B.K/Shqiptarja.com)