Okkeş Elmasoglu është kthyer në hero në ditët pas tërmetit në Turqi- e kjo thjesht sepse ai bëri punën si duhet. Elmasolgu është kryetar bashkie i qytetit Erzin me rreth 42.000 banorë. Erzin ndodhet në jug të Turqisë, mes Osmanyie dhe Iskenderun, në qendër të zonës së tërmetit. Por pikërisht në këtë qytet gati nuk ka dëme. Shpjegimi i kryebashkiakut për këtë në televizionin turk është i thjeshtë: "Nuk kam lejuar ndërtime dhe veprime ndërtimi ilegale. Nganjëherë ka ndodhur që ka pasur zemërim ndaj meje, dhe më kanë pyetur me ironi, ti do të jesh më i ndershmi në këtë vend? Sot kam ndërgjegje të pastër. Nuk i kam lejuar ndërtimet ilegale."
Ndërkohë që Turqi nuk janë të pakta ndërtimet ilegale. Dihet, se ata që ndërtojnë ilegalisht kryejnë një vepër penale, por para zgjedhjeve shpesh përgjegjësit i kanë shpëtuar ligjit. Por sjellja e tyre ishte dhe është e papërgjegjshme, thotë Eyüb Muhcu nga Shoqata e Përgjithshme e Inxhinierëve dhe Arkitektëve Turq. Ai ndodhet para rrënojave të një shtëpie në Adiyaman. "Siç kemi mësuar bëhet fjalë tek ndërtesa për një godinë katër katëshe, që do të thotë se plani ishte katër kate për ndërtim, dhe stabiliteti i ndërtimit ishte i planifikua për kaq kate. Më pas, i inkurajuar nga amnistitë politike në ndërtim, u vendosën edhe tre kte të tjera ndërtimi ilegalisht, dhe në fakt me këtë është bërë vrasje."
Bazament i dobët dhe shufra hekuri të lëmuara
Shtimi i një, dy ose tre kateve pa leje në godina është një praktikë e njohur në qytetet turke. Por kjo nuk e shpjegon vetëmkatastrofën. Kësaj i shtohet që në disa zona bazamenti i tokës është shumë i butë dhe jo stabël. Një rol luan edhe mënyra e ndërtimit. Një grua rrëfen në Antakya, se bashkë me fqinjët ajo kishte kërkuar në rrënoja për kolona çeliku. Nuk gjetëm asnjë, rrëfen ajo. Përveç kësaj ka ndërtime që janë ngritur me materiale që nuk duheshin përdorur, thekson inxhinieru Muhcu. "Në shumë vende shikon, se si është prishur betoni, këtë e provojnë mostrat që kemi marrë. Po kështu ndodh edhe me shufrat e hekurit që janë përdorur." Sipas Muhcu ka ndërtesa që janë ngritur me shufra hekuri të lëmuara, ndërkohë që sipas rregulloreve të ndërtimit duhet të pëdoren në ditët e sotme hekuri i valëzuar.
Sipas kryetarit të bashkisë së Erzinit, Elmasoglu, ndëtimet ilegale kursejnë aty ku nuk duhet. Edhe në Erzin ka pasur ndërtime të tilla, por jo pa i vënë para drejtësisë përgjegjësit, thekson ai. Firmat e ndërtimit janë përpjekur të bindin autoritetet që të mbyllin një sy, por Elmasoglu qëndroi i palëkundur. "Edhe tek unë kanë ardhur ata. janë ankuar, që nuk mund t'ia dalin të marrin një leje ndërtimi, por unë thosha, 'më vjen keq'. Jo pak vetë kanë qenë të zemëruar me mua." Por edhe në Erzin që nuk është dëmtuar nga tërmeti po kontrollohen tani të gjitha ndërtimet./ DW