Qytetarët e Rrogozhinës kanë dalë sërish mbrëmjen e sotme në protestë, për të kundërshtuar bashkimin me Bashkinë e Kavajës.

Ata pretendojnë se Rrogozhina është një qytet me histori që duhet të qëndrojë si bashki më vete. Sipas protestuesve, në rast të bashkimit me Kavajën, banorët e Rrogozhinës do të hasin vështirësi në marrjen e shërbimeve.

Qytetarët kanë kërkuar nga kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë të mazhorancës, që nëse Rrogozhina ka probleme me mbledhjen e të ardhurave, të përmirësojnë administrimin dhe jo të shkrijnë bashkinë.

“Investoni në kapacitete. Nëse ka probleme në mbledhjen e të ardhurave, përmirësojeni administrimin”, tha një protestues.

“Rrogozhina është shtëpia jonë, prandaj i themi qartë ‘jo’ bashkimit me Kavajën”, tha një tjetër protestues gjatë fjalës së tij në tubim.

Propozimi i Partisë Socialiste për hartën e re territoriale parashikon uljen e numrit të bashkive nga 61 që janë aktualisht në 46. Pra 15 prej bashkive do të shkrihen dhe bashkohen me bashkitë fqinje më të mëdha.


Lajmi kryesor:

Ndarja e re territoriale/ Selenica e Divjaka i thonë ‘jo’ shkrirjes së bashkive, këshillat kundër draftit të PS! Në Rrogozhinë protestë kundër bashkimit me Kavajën