Bashkia e Selenicës është shprehur edhe zyrtarisht kundër shkrirjes së saj dhe bashkimit me Vlorën.

Këshilli Bashkiak zhvilloi një mbledhje të jashtëzakonshme ku në qendër të diskutimeve ka qenë kundërshtimi i draftit të mazhorancës për hartën e re territoriale.

Të gjithë këshilltarët, të majtë e të djathtë shprehën qëndrimin në parim kundër projektit, me 19 vota kundër. Në ditët në vijim pritet të që Bashkia Selenicë të nisë konsultimet edhe me banorët e njësive administrative, argumente që më tej do t’i paraqiten zyrtarisht edhe qeverisë.

Kundër është shprehur publikisht edhe kryetari i Bashkisë Selenicë, Nertil Bellaj. Ai argumentoi se Bashkia e Selenicës duhet të vazhdojë të funksionojë si një njësi vendore më vete, duke theksuar se shkrirja me Vlorën do të dëmtonte përfaqësimin dhe zhvillimin e zonës.

Selenica tha Bellaj, ka identitetin, territorin dhe nevojat e saj specifike, të cilat sipas tij kërkojnë një administrim të pavarur.

“Ne renditemi bashkia e 14-të në Shqipëri me të ardhurat e veta për frymë. E 9-ta ku shpenzimet që kryejmë i kemi për investime. Renditemi bashkia e 29-të për funksionalitet. Borxhi publik i bashkisë Selenicë sot është 3.6%, renditemi e para për diversitetin ekonomik. Nuk kemi varësi nga një sektor, por nga të gjithë”, tha ai.