Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi, është shprehur se në shumë zona qytetarët po përballen me mungesë shërbimesh dhe distanca të largëta për marrjen e dokumentave dhe shërbimeve.
Komentet Blushi i bëri gjatë fjalës së tij në dëgjesën publike të Komisionit të Posaçëm për Reformën Territoriale në Teatrin ‘Bylis’ në Fier.
Teksa kërkoi rishikimin e ndarjes territoriale në vend, Blushi evidentoi edhe disa prej problematikave, me të cilat sipas tij po përballen qytetarët.
Ai theksoi se duhet të rritet numri i bashkive dhe zonave si Levani, Cajrani, Libofsha apo zona të tjera të rëndësishme administrative të cilat duhet të kenë status bashkie.
Në deklaratën e tij, ai u ndal edhe te situata në Mallakastër, duke u shprehur se kjo zonë nuk duhet “të shpërndahet apo të shpërbëhet”, ndërsa shtoi se vendimmarrja duhet t’u takojë vetë qytetarëve, në përputhje me standardet europiane të vetëqeverisjes vendore.
Ndërkohë, deputetja e Partisë së Lirisë Brunilda Haxhiu, deklaroi se reforma territoriale e realizuar nga Partia Socialiste ka dështuar, pasi sipas saj shërbimet janë larguar nga qytetarët dhe zonat rurale janë lënë pas dore.
Ajo solli si shembull banorët e zonave të largëta, të cilët detyrohen të udhëtojnë kilometra të tëra për të marrë një certifikatë apo një shërbim administrativ.
“Qytetarët nuk mund të detyrohen të lëvizin nga fshatra të largëta drejt qendrave të bashkive vetëm për një dokument. Janë vetë banorët ata që duhet të vendosin për ndarjen territoriale dhe mënyrën e organizimit të shërbimeve”, u shpreh deputetja.
Lajmi kryesor:
‘Territorialja’/ Komisioni dëgjesë në Fier, Mazniku: Sfida kryesore, eficenca e funksioneve të bashkive! Boçi: Reforma 2014-ës dështoi, pushteti vendor duhet t’u rikthehet qytetarëve











