Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi dhe kryetari i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, janë përfshirë në debate të forta sot në Komision, ku po shqyrtohet ndarja e re territoriale.
Blushi teksa kundërshtoi propozimin e PS për Reformën Territoriale, i kërkoi Manjës që ta ndërpriste mbledhjen.
Tedi Blushi tha se PS nuk ka mandat që të marrë vendime për të detyruar banorë e familje për të përshkruar kilometra të rrugë dhe për të shpenzuar më shumë.
Debati me Manjën nisi kur Blushi i kërkoi deputetit socialist që të ndërpriste mbledhjen, pasi sipas tij, edhe nëse nuk e bënte, nuk do i shtoheshin pikë te Edi Rama.
“Çfarë po votoni sot? Përse nuk keni kurajon të dilni nga një urdhër kriminal që do t’u marrë në qafë të gjithëve? Dhe çdo vendimmarrje ka për t’ju përndjekur gjithë jetën. Do ju përndjekë në rrugë, do ju përndjekë në punë dhe në çdo vend tjetër. Ndërpriteni këtë mbledhje. Nëqoftëse jeni pengje të Edi Ramës, më mirë deklarojeni këtu, sepse do shpëtoni. S’mund të rrini gjithë jetën peng, sepse jeni mes dy zjarreve tani. Këtë protestues do ju përndjekin gjithë jetën. Ju s’keni mandat të merrni vendime për banorë e familje që i detyroni tani që jo vetëm të përshkruajnë kilometra rrugë, por edhe të shpenzojnë më shumë. Kush j’ua ka dhënë këtë mandat, Edi Rama? Fakti që më ndërpret nuk t’i shton pikët te Edi Rama. Ju e shikoni këtë si çështje pikësh, unë e shoh si çështje kombëtare. Ndërpriteni këtë mbledhje, sepse nuk do ju mbrojnë as makinat me xhama të zinj dhe as Garda e Republikës”, tha mes të tjerash Blushi.
Ndërkohë Manja iu përgjigj se nuk kishte nevojë për pikë në mandatin e katërt të PS, teksa ironizoi Blushin duke i thënë ‘po ti çfarë elektorati ke? Kujt i flet, vetes’.
“Po jo mor çfarë pikësh, s’kam nevojë për pikë unë në mandatin e katërt. Pikë të duhen ty o Blush, pikë të duhen ty, sepse t’i flet për socialistët, por ti çfarë elektorati ke? Kujt i flet ti, vetes”, tha Manja.
Lajmi kryesor:
Mes debateve, 'Ligjet' miratojnë me 8 vota pro draftin e PS për hartën e re territoriale! Mazniku: S'ka largim të shërbimeve! Blushi: Jeni pengje, vendimi ka për t'ju përndjekur gjithë jetën







