Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, Tedi Blushi ka zhvilluar sot një vizitë në Maliq, nga ku ka kundërshtuar propozimin e PS për hartën e re territoriale.
Teksa ka theksuar se kundërshton çdo përpjekje për statusin e bashkisë, Blushi përmes një postimi në rrjetet sociale ka shkruar se Maliqi nuk duhet të shkrihet me Korçën, por të zhvillohet.
Pas braktisjes së mbledhjes së Këshillit Bashkiak ditën e sotme nga socialistët, Blushi akuzoi kryebashkiakun e Maliqit Gëzim Topçiu, kryeparlamentarin Niko Peleshi dhe deputetët e PS-së së Korçës se kanë tradhtuar besimin e qytetarëve ndër vite.
Sipas Blushit, askush nuk ka të drejtë ta trajtojë Maliqin si një numër në një tabelë apo si një njollë që mund të fshihet nga harta. Me ironi ai theksoi se Maliqi “nuk është ‘petë lakrori’ për t’u gëlltitur kollaj.”
Reagimi i Tedi Blushit:
Sot isha në Maliq dhe pashë në sytë e njerëzve diçka që nuk mund të fshihet me asnjë hartë të vizatuar në laptopin e Arbian Maznikut apo, aq më keq, në kokën e çartur të Edi Ramës: zemërimin, dhimbjen, por mbi të gjitha vendosmërinë për të mos u dorëzuar.
Maliqi nuk është një vijë në një hartë administrative. Maliqi është hambari i Shqipërisë, toka e fermerëve tanë, djersa e njerëzve punëtorë dhe shtëpia e mijëra familjeve që kanë ndërtuar jetën këtu.
Askush nuk ka të drejtë ta trajtojë Maliqin si një numër në një tabelë apo si një njollë që mund të fshihet nga harta. Njerëzit e kësaj treve meritojnë më shumë vëmendje, më shumë investime, më shumë shërbime dhe mbi të gjitha respekt.
Një falënderim i veçantë për këshilltarët bashkiakë të PL dhe PD që qëndruan në krah të qytetarëve dhe mbrojtën zërin e Maliqit.
Por sot dua të përulem me respekt të veçantë për Reiz Petritaj, nga Strelca, të moshuarin me bastun, që me kurajë dhe dinjitet i tregoi vendin e pabesisë brenda Këshillit Bashkiak dhe nuk lejoi që zëri i njerëzve të tij të shitej për interesa politike.
Kjo është forca e Maliqit: njerëzit e tij!
Sot u them banorëve të Maliqit, Libonikut, Gorës, Moglicës, Pirgut, Vreshtasit, Pojanit dhe çdo fshati të kësaj treve: MOS U DORËZONI, SEPSE NUK JENI VETËM!
Maliqi ka qenë dhe duhet të mbetet Bashki.
Maliqi nuk ka nevojë të shkrihet por ka nevojë të zhvillohet!
Turp për Gëzim Topçiun, Niko Peleshin dhe deputetët e PS të Qarkut që e tradhtuan besimin e qytetarëve që i kanë votuar për vite me radhë.
Maliqi nuk është pronë e askujt dhe as “petë lakrori” për t’u gëlltitur kollaj.
Maliqi ka zë.
Maliqi ka njerëz.
Maliqi ka dinjitet.
Dhe Maliqi nuk dorëzohet!
MALIQI NUK SHKRIHET!









Komente
Komento