Socialistët kanë braktisur mbledhjen e këshillit bashkiak në Maliq për reformën territoriale, e cila ishte thirrur nga opozita.

Mbledhja zgjati rreth 20 minuta ndërkohë që në rendin e ditës ishte parashikuar miratimi i qëndrimit zyrtar të këshillit bashkiak për t’ia përcjellë Kuvendit.

Grupi i këshilltarëve të majtë tha në një deklaratë për të mos u shprehur me vendimmarrje në lidhje me propozimin që duhet t’i dërgohet parlamentit dhe si rrjedhojë, kryetari Gëzim Topçiu njoftoi mbylljen e mbledhjes duke nxitur reagime nga opozita e qytetarët. Njëri prej qytetarëve, i cili mban bastun në dorë, reagoi i nxehur duke urdhëruar që askush mos të lëvizte nga vendi, ndërsa bën edhe gjeste kërcënuese me shkopin.

“Ulu atje! Kush e mbyll mbledhjen? Ulu shpejt!”, tha qytetari duke ‘valëvitur’ bastunin e tij.

“Luani me popullin ju? Ç’bëhet kështu?”

“Si s’ju vjen turp more?”, kundërshtuan të tjerët.

Salla u boshatis nga këshilltarët e majtë brenda disa sekondash, ndërkohë që pjesa tjetër e opozitës vijon me deklaratat.