Këshilli i Bashkisë Mat miraton me 14 vota pro, 5 kundër dhe 1 abstenim mendimin për reformën territoriale. Pas përmbylljes së dëgjesave publike në 8 njësitë Administrative, Këshilli i Bashkisë Mat zhvilloi këtë të hënë një mbledhje jashtë radhe ku mes disa pikave ishte edhe ajo për reformën administrative territoriale.

Të pranishëm ishin 20 këshilltar nga 21 që janë gjithsej ku diskutuan projekt-draftin për reformën administrative territoriale 2.0 të propozuar nga mazhoranca. Këshilltarët dhanë mendimin e tyre në lidhje me propozimin e mazhorancës i cili parashikon që Bashkia Klos të mos jetë më njësi e vetëqeverisjes vendore por t’i bashkohet Bashkisë së Matit.

Pas fjalës së mbajtur nga një pjesë e madhe e këshilltarëve të pranishëm në këtë mbledhje, kjo pikë e rendit të ditës u kalua në votim - 14 këshilltarë votuan pro draftit të propozuar nga mazhoranca, 5 këshilltar votuan kundër dhe një abstenim.

Këshilli Bashkiak Mat dhe Kryetari i Bashkisë do të dorëzojnë pranë Kuvendit këtë vendim në lidhje me bashkimin e bashkive Mat e Klos në një të vetme, ndërsa drafti final pritet të kalojë në parlament për votim me datë 8 Tetor.