Kina ka konfirmuar se presidenti Xi Jinping do të zhvillojë një vizitë shtetërore në Shtetet e Bashkuara nga 23 deri më 25 shtator, me ftesë të presidentit amerikan Donald Trump. Lajmi u bë i ditur nga Ministria e Jashtme kineze.
Vizita do të jetë e para e Xi Jinping në SHBA që prej vitit 2023, kur mori pjesë në samitin e APEC në Kaliforni dhe u takua me presidentin e atëhershëm amerikan Joe Biden.
Trump e ftoi Xi Jinping në Shtëpinë e Bardhë më 24 shtator, gjatë vizitës së tij në Pekin në mesin e muajit maj.
Dy liderët pritet të diskutojnë për mosmarrëveshjet tregtare dhe tarifat mes dy vendeve, sigurinë në përdorimin e inteligjencës artificiale, si edhe konfliktet ndërkombëtare, përfshirë luftën në Iran dhe pushtimin rus të Ukrainës.
Më herët, Trump e kishte pritur Xi Jinping në rezidencën Mar-a-Lago në Florida në vitin 2017, ndërsa vizita e fundit shtetërore e liderit kinez në SHBA, me ceremoni në Shtëpinë e Bardhë, ishte zhvilluar në vitin 2015.





Komente
Komento