Territorialja, Kokëdhima: Zhurmë
për Himarën,ngatërrohen interesat

Territorialja, Kokëdhima: Zhurmë<br />për Himarën,ngatërrohen interesat
Mes debateve për reformën territotiale dhe kundërshtive nga minoriteti grek ka reaguar dhe deputeti i Partisë Socialiste i qarkut të Vlorës, Koço Kokëdhima.
Sipas tij kjo refomë ka një rëndësi të madhe dhe do ta shpëtojë popullin e Shqipërisë nga kjo situatë shumë e keqe e qeverisjes vendore.
 
 “ Në këto momente të reformës territoriale tensioni i deklaratave nuk është fare surprizë. Interesa të caktuara u përpoqën të kushtëzojnë kufizimin e territorit të Himarës. Përfaqësuesit e këtyre interesave e ngatërruan reformën me ambicien për më shumë territore në një ndarje administrative mbi baza etnike e fetare!!! Ata kërkojnë një bashki të madhe të minoritetit grek në zonën e Vurgut dhe një bashki të vogël për himariotët. Himara është një nga trevat shqiptare me historinë më të lavdishme, që e ka paguar lirinë e saj në shekuj aq shtrenjtë sa askush tjetër. Zgjerimi i saj drejt Lukovës e Vranishtit është në përputhje të plotë me parimet e reformës territoriale, por edhe me historinë dhe kulturën e kësaj treve”, theksohet në deklaratën e Kokëdhimës.
 
Deputeti socialist thotë se ministrit Çuçi i duhet ende punë për të negociuar zgjidhjet funksionale që ai dhe Komisioni i Reformës kanë realizuar për Delvinën, Sarandën, Konispolin dhe bashkinë e minoritetit. Sipas tij futja në lojë e PDIU-së  dhe kërkesa për t’i bashkangjitur Konispolit Vangalatin, Pandalemonin dhe Sopikun ka provokuar shumë diskutime.
 
“Për këtë çështje duket se ka akoma një hapësirë të mundshme negociatash e kompromisesh. Ndërsa për çështjet, fshatrat dhe bashkitë e tjera duket se qeveria e ka mbyllur diskutimin. Ndërkohë që disa parti dhe shoqata të vogla janë përpjekur të imponojnë kërkesa të paarsyeshme, duke ekzagjeruar përtej realitetit mundësitë e tyre për të tronditur qetësinë dhe paqen në Jug të vendit, ata e kanë dobësuar tej mase rolin që mund të luanin në këtë reformë. Ky boshllëk duket se shkon në favor të një roli për PDIU, që mund të rezultojë jashtëzakonisht i rëndësishëm në miratimin e kësaj reforme. Unë mbetem i interesuar të shoh edhe zhvillimet që do të ketë në qëndrimet e Andrea Martos. Marto është deputet i Partisë Socialiste me origjinë minoritare. Marto, ashtu si dhe shumë personalitete të tjera me origjinë nga minoriteti grek, ka qenë vazhdimisht dakord dhe është deklaruar se do të votojë për Himarën e bashkuar me Lukovën dhe Vranishtin. Mospërputhjet e tij thelbësore janë krijuar pas ndryshimeve që janë konsideruar të ndodhin në javën e fundit në kufijtë mes Delvinës, Sarandës dhe Konispolit me komunat e minoritetit. Unë shpresoj dhe uroj se në orët dhe ditët e ardhshme Marto do të dakordohet me qëndrimin politik të grupit të PS-së”, vijon deklarata e deputetit të PS-së Koço Kokëdhima.
Si thekson se minoriteti grek ka jetuar historikisht në harmoni të plotë dhe ka gëzuar të njëjtat të drejta me qytetarët e tjerë të Shqipërisë.
 
“Reforma territoriale nuk zhvillohet me qëllimin për t'i hequr ca të drejta apo ca copa minoritetit, por për të përmirësuar rrënjësisht qeverisjen vendore dhe zhvillimin ekonomik e cilësinë e jetës, si në minoritet ashtu edhe në bashkitë e komunat përreth tij, ku jetojnë gjithashtu shqiptarë dhe minoritarë së bashku. Spekulimet e mëdha e të pabaza nuk duhet dhe nuk do të kompleksojnë qeverinë dhe ligjvënësit të bëjnë më të mirën e mundshme, në favor të organizimit më të mirë të qeverisjes vendore në të gjithë Jugun e Shqipërisë. Partia Socialiste është shumë e interesuar dhe do të punojë me këmbëngulje për të përmirësuar rrënjësisht qeverisjen dhe jetën e minoritetit grek dhe minoriteteve të tjera në Shqipëri”, përfundon deklarata nga deputeti i PS-së në qarkun e Vlorës.


Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    'Rasti Qefalia', a fshihen gjobat pas akuzave të Këlliçit, Nokës, opozitës?



×

Lajmi i fundit

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë

Këshilli Bashkiak miraton projektin e ri “Ecole 24”: Kurse falas në teknologji për të rinjtë