Deputeti i Partisë Demokratike, Saimir Korreshi, ka kundërshtuar në Komisionin e Ligjeve në Kuvend propozimin e PS për hartën e re territoriale.

Gjatë fjalës së tij, Korreshi tha se një bashki e madhe si Divjaka dhe me performancë pozitive ekonomike, nuk ka pse të shkrihet.

Teksa kërkoi referendum për Reformën e re Territoriale, Korreshi tha se harta e re rrezikon shpopullimin e mëtejshëm të Shqipërisë. Sipas Korreshit, sot Bashkitë janë kthyer në varreza.

“Fshati me qytetin nuk puthen fare, as sahatet nuk i keni vënë me kuti, por i keni lënë në kanal. Një bashki e madhe si Divjaka ekonomikisht performon mirë, nuk e kuptoj zellin që të bashkohet me Lushnjën ku dhe pse?

Në Lushnjë nuk ofrohet shërbim, atij nuk i bie ndërmend për Divjakën, nuk do të ketë më shërbim. Nuk është reformë, u rritën shpenzimet dhe punësimet në vend që të ulen. Ndoshta hera e parë që ky milet të dëgjohet me një referendum. Në Divjakë nuk kishte roje për plazhistët dhe hapi gropa të mëdha bashkia që të mos kalohej perimetri, se nuk kishte lekë, ama para zgjedhjeve ka kontrata punësimesh 3 mujorshe. Ka ca njerëz që nuk po lefin se duan PD apo PS, por duan shërbime, duan transport por bashkia e Lushnjes nuk e ofron këtë gjë. Ne po na ikin edhe asetet. Bashkitë janë kthyer në varreza, në vend pleqërimi, të gjithë fëmijët nuk kthehen më, të punojnë në bashkinë Lushnjë për 500-600 mijë lekë. Kur dëgjojmë këtë reformë me 4 nene, na vjen për gjumë, të mos them ndonjë gjë tjetër, se na tërhoqët vëmendjen”, tha Korreshi.


Lajmi kryesor:

Mes debateve, 'Ligjet' miratojnë në parim draftin e PS për hartën e re territoriale! Pritet votimi nen për nen dhe në tërësi! Mazniku: S'ka largim të shërbimeve