Përfaqësuesit vendorë të PD i shprehën shqetësimet e tyre mbi draftin e PS për reformën territoriale në një takim me Kongresin e Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, që zhvilluan online këtë të martë.
Ata i thanë përfaqësuesve të Këshillit se krahas numrit të bashkive apo kufijtë e tyre, diskutimi duhet të bëhet për mënyrën se si merret një vendim që prek drejtpërdrejt qytetarët, shërbimet publike, përfaqësimin dhe autonominë vendore.
Fisnik Qosja, kryebashkiaku i Kavajës tha se PD kërkon të mbrojë interesat e qytetarëve duke ngritur këto qëndrime.
“Po mbrojmë interesat e qytetarëve dhe jo të politikës”, deklaroi Qosja, duke shtuar se një proces i plotë konsultimi nuk e pengon reformën, por i jep asaj legjitimitet, besueshmëri dhe qëndrueshmëri.
Ndërsa Albert Malaj, paraqiti tre shqetësime kryesore: përmbylljen e procesit parlamentar pa u realizuar të gjitha fazat e parashikuara, mungesën e konsultimit konkret për propozimin e shkrirjes së 15 bashkive dhe mungesën e një konsensusi të gjerë në nivel vendor.
“Ne nuk u kërkojmë partnerëve ndërkombëtarë të mbështesin një hartë të caktuar, por të ndihmojnë që procesi të respektojë standardet evropiane të konsultimit, pjesëmarrjes dhe demokracisë lokale”, tha Malaj.
“Po bëhet një reformë pa pyetur qytetarët. Është një prerje e hartës pa asnjë analizë”, deklaroi Ylli Asllani, Sekretar për Pushtetin vendor në PD.
Kryetari i Bashkisë Fushë-Arrëz, Hilë Curri, solli në vëmendje qëndrimin e komunitetit ndaj propozimit për shkrirjen e bashkisë. Curri tha se Fushë-Arrëzi ka votuar kundër shkrirjes dhe kërkoi që Kongresi t’i tërheqë vëmendjen qeverisë për mosdëgjimin e komunitetit.
“Ne komunikojmë me deputetë dhe përfaqësues të mazhorancës dhe na thonë: nuk është reformë e mirë, por jemi të detyruar ta votojmë”, deklaroi Curri, thotë PD në njoftimin e saj.
Drafti i PS për Territorialen redukton numrin e bashkive nga 61 në 46, ndërsa PD kërkon shtimin e 100 bashkive në të gjithë vendin.












Komente
Komento