Poliçani dhe Cërriku kanë dalë hapur kundër draftit të reformës territoriale, duke kundërshtuar bashkimin e bashkive të tyre me Beratin dhe Elbasanin. Në mbledhjet e këshillave bashkiakë, në Poliçan projektligji u rrëzua me 15 vota kundër, ndërsa në Cërrik këshilltarët kërkuan që vendimi të merret vetëm pasi të dëgjohet komuniteti.

Në Poliçan, Këshilli Bashkiak zhvilloi një mbledhje emergjente për të shqyrtuar projektligjin që parashikon shkrirjen e bashkisë dhe bashkimin e saj me Beratin. Të 15 këshilltarët votuan kundër propozimit, ndërsa gjatë mbledhjes u prezantua edhe raporti i komisionit të ngritur për zhvillimin e dëgjesave publike, ku pasqyrohej kundërshtimi i banorëve ndaj këtij propozimi. 

Kryebashkiaku Adriatik Zotkaj tha se argumentet e paraqitura në relacionin e qeverisë nuk qëndrojnë. Sipas Zotkajt, ndryshimi i kufijve administrativë duhet të bëhet vetëm me pëlqimin e komunitetit. Ai u shpreh se Bashkia Poliçan ka 318 biznese, zhvillon turizëm malor dhe industrial, si edhe ka zbatuar projekte për kategori të ndryshme të komunitetit. Në përfundim të mbledhjes, këshilltarët paralajmëruan se do të japin dorëheqjen nëse Parlamenti miraton projektligjin.

Pas diskutimeve, të 15 këshilltarët bashkiakë konfirmuan se do të japin dorëheqjen në rast se Parlamenti voton pro shkrirjes së Bashkisë Poliçan.

Debate pati edhe në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Cërrikut, ku këshilltarë të majtë dhe të djathtë kundërshtuan bashkimin e bashkisë me Elbasanin, duke argumentuar se një ndryshim i tillë do t'i largonte shërbimet nga qytetarët dhe do të ndikonte në shpopullimin e zonës.

Një pjesë e këshilltarëve i cilësuan dëgjesat publike si formale, duke argumentuar se komuniteti duhej të ishte konsultuar më herët. Mes propozimeve të ngritura ishte edhe zhvillimi i një referendumi.

Kryetari i Bashkisë së Cërrikut, Florenc Doka, tha se nuk do të mbajë një qëndrim përfundimtar për shkrirjen e bashkisë pa përfunduar më parë dëgjesat publike me komunitetin, duke theksuar se procesi duhet të përfshijë qytetarët dhe grupet e interesit.

"Kjo që po bëjmë është rradha e punës e gjithë këtij procesi. Brenda 60 ditëve duhet të shprehim mendimin. Do të përcaktojmë takimet në të pesta njësitë administrative. Qëllimi është të zhvillojmë takime të hapura me komunitetin, të ketë grupe të shumta interesi. Të bëjmë një grup të përbashkët për të organizuar këto takime ku mund të marrin pjesë të gjithë. Unë personalisht kam vendosur që mos të mbaj krah, të mos shprehe opinionin personal se jam kryetar i Bashkisë Cërrik. Edhe ju si këshilltarë duhet të mbani këtë qëndrim. Të marrim mendimin e vyer të njerëzve. Interesi ynë i përbashkët është që komuniteti të fitojë” tha Florenc Doka.

Mbledhja u ndoq edhe nga deputetët e opozitës, Blendi Himçi dhe Klodiana Çapja. Himçi i kujtoi kryebashkiakut Doka se, bazuar edhe në rekomandimet paraprake të Komisionit të Reformës Territoriale, ai është ndër të parët që duhet të shprehë qëndrimin e tij për këtë proces.

"Shkrirja e bashkisë do të thotë që aveniri i shumë qytetarëve të vihet në pikëpyetje dhe të ketë shpopullim nga këto bashki. Ju duhet të shpreheni. E keni për detyrim të shpreheni. Opinionin e Këshillit Bashkiak duhet ta shprehë gjithsecili" tha Himçi

Në përfundim, Këshilli Bashkiak i Cërrikut votoi me shumicë pro zhvillimit të dëgjesave publike me komunitetin. Sipas draftit paraprak të reformës territoriale, Cërriku dhe Belshi parashikohet t'i bashkohen Bashkisë së Elbasanit.