TIRANE- Projekti i parë i propozuar nga qeveria përbëhej nga 30 njësi vendore. Ajo ishte një kopje e ish-ndarjes së Shqipërisë në kohën e komunizmit me disa ndryshime të vogla ku i jepej prioritet Dropullit, Pustecit si zona minoritare. Projekti i dytë përbëhej nga 39 njësi administrative, ku edhe këtu fragmentizimi bazohej në zonat minoritare. Por këto dy projekte bashkonin Tiranën me Kamzën, Paskuqanin, Farkën, Kasharit, zona të cilat më parë kanë qenë njësi më vete. Por projekti i cili ka më shumë prioritet dhe që shihet si më kryesore nga ana e qeverisë ishte ai me 47 njësi të qeverisjes vendore.

Konkretisht Kamza, Paskuqani dhe Bathorja bashkohen në një njësi të vetme. Zonat minoritare respektohen ku Pusteci, Dropulli, Livadhjaja dhe Himara dalin njësi më vete. Krahas kësaj, me këtë ndarje është bërë krijimi i Himarës së madhe, kërkesë kjo e bërë nga pala greke pasi e konsideron si zonë minoritare. Zona veriore në këtë projekt ndan qarkun e Shkodrës në tri njësi vendore, Malinë e Madhe, Shkodrën dhe Vaun e Dejës të cilat përfshinë të gjithë fshatrat që kanë përreth. Kruja bashkohet me Fushë Krujën, ndërsa në Durrës krijohen një bashki e madhe, Shijaku i cili ka në brendësi të tij fshatrat përreth. Dy projektet e tjera përbëhen nga 57 njësi administrative si edhe 63 njësi administrative.

Si do të funksionojnë
Komisioni do të miratojë vetëm një projekt ku sipas të gjitha gjasave do të jetë ai me 47 njësi të qeverisjes vendore. Këto njësi të qeverisjes vendore do të përbëjnë totalin e bashkive ose komunave të vendit. Pra në të gjithë vendin do të ketë vetë 47 të zgjedhur nga populli të cilët do të qeverisin me mandate 4 vjeçare. Këto kryetarë të njësive vendore do të punësojnë administrator, të cilët do të kenë zyrat e tyre në vendet ku më parë kanë qenë komunat. Konkretisht duke iu referuar Tiranës, e cila do të marrë në brendësi të saj Farkën dhe komuna të tjera do të ketë vetëm kryetar bashkie.

Ky kryetar bashkie do të punësojë një administrator, i cili do të drejtojë punën në ish-komunë e Farkës e cila do të jetë funksionale për banorët e zonës. Kjo gjë bëhet për të shmangur rrugën që do të duhet të bënin banorët e Farkës deri në Tiranë për të marrë qoftë edhe një certifikatë. Pra këto zyra shërbimi që do të drejtohen nga një administrator të komanduar nga kryetari i bashkisë dhe nuk do të zgjidhet më nga banorët e zonës pasi ata do të vijnë për kryetarin e njësis së qeverisjes vendore dhe të këshillit vendor.

HIMARA SHKEPUTET PER HERE TE PARE NGA VLORA, SARANDA PERGJYSMOHET
Ndarja e re administrative e Shqipërisë i ka dhënë një rëndësi të veçantë komunave minoritare. Konkretisht zonat minoritare në jug të vendit që karakterizohen si krahina me minoritet grek, janë bërë njësi vendore më vete që do të kenë kryetarin e tyre, i cili sipas të gjitha gjasave do të zgjidhet nga ajo anë. Por ajo që ka më shumë rëndësi përsa i përket kësaj fushe është fakti se përveç zonave klasike minoritare, tani më është shtuar edhe Himara e cila  është bërë njësi e qeverisjes vendore më vete nga Vlora. Krahas kësaj, Himarës i janë shtuar komunat e Lukovës, Palasës, Dhërmiut, Vunoit etj duke krijuar Himarën e kërkuar me ngulm nga pala greke, por që nuk ishte realizuar asnjëherë më parë. Zonat e tjera minoritare të krijuara është Dropulli i cili përfshinë në të Dorpullin e Poshtëm dhe Dropullin e Sipërm si edhe Pogonin, tri komuna këto me minoritet grek. Tek zona e minoritetit është futur edhe Livadhjaja, zonë e krijuar për herë të parë. Sipas kësja ndarjen, Sarandës i hiqet komuna Aliko, Livadhaj dhe Finiq, të cilat bashkohen së bashku me Mesopotamin dhe krijojnë njësinë e qeverisjes vendore minoritare të Livadhjaes. Saranda në këtë rast bëhet një qytet i cili shtrihet vetëm në vijën bregdetare, pasi pjesa e tjetër në brendësi të territorit do të jetë pjesë e njësisë tjetër të qeverisjes vendore. Këto kritere për ndarjen e re administrative të Shqipërisë janë zbatuar për shkak të konventave ndërkombëtare përsa i përket zonave minoritare. Veç njësive minoritare greke, harta e re përcakton edhe krijimin Pustecit e cila do të jetë sërish njësi e qeverisjes vendore më vete, pavarësisht se është një njësi e cila nuk plotëson kriterin e përcaktuar për pasjen e 30 mijë banorëve për njësi.

hartat me zonat me logo


Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)