Reforma administrativo-territoriale e vitit 2014, që uli numrin e njësive vendore nga 373 në 61 bashki, konsiderohet nga bashkëkryetari i Komisionit të Reformës, Arbjan Mazniku, si një ndërhyrje e guximshme që, sipas tij, ka rritur ndikimin e bashkive në jetën e përditshme të qytetarëve. Këtë vlerësim ai e dha gjatë konsultës publike të radhës në Elbasan.
Sipas tij, kjo reformë ka sjellë ulje të shpenzimeve për paga, rritje të investimeve, zgjerim të funksioneve dhe përmirësim të shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Në vitin 2014 u ndërmor një hap shumë i guximshëm, ku minibashkitë dhe minikomunat, që nuk arrinin të ofronin funksionet e nevojshme për qytetarët e tyre, u bashkuan. Nga 373 njësi të copëzuara kaluam në një sistem me 61 bashki, të cilat sot kanë një peshë reale dhe të prekshme në jetën e qytetarëve. Ky ka qenë një hap shumë i dobishëm përpara. Shpenzimet për paga janë ulur, ndërsa investimet janë rritur, funksionet janë shtuar dhe shërbimet ndaj qytetarëve janë përmirësuar. Në analizën tonë, reforma e vitit 2014 ka sjellë një sërë vlerash pozitive. Ndaj sot duhet ta shohim këtë si një proces natyral, për të çuar më tej përmirësimin e shërbimeve. Bashkëbisedimi duhet të fokusohet tek funksionet dhe mjetet që u duhen bashkive për të ofruar shërbime sa më cilësore”, theksoi ai.
Ai u shpreh se mundësia për të ndërmarrë një reformë të re administrativo-territoriale, me fokus tek menaxhimi i territorit, është një moment i rëndësishëm për të diskutuar mbi jetën e përditshme të qytetarëve. Sipas Maznikut, marrëdhënia me shtetin dhe me mënyrën si administrohet qyteti nis që nga lindja, vazhdon me shkollimin, krijimin e familjes, blerjen e një shtëpie dhe rritjen e fëmijëve në çerdhe e shkollë, deri në fund të jetës, duke e bërë bashkinë një institucion të pranishëm në çdo hap.
Mazniku theksoi se mënyra si funksionon ky mekanizëm ndikon drejtpërdrejt në jetën e përditshme të qytetarëve, ndaj edhe dialogu për këtë reformë, sipas tij, duhet parë si një proces i përbashkët.
Ai shtoi se diskutimi duhet të fokusohet te funksionet dhe mjetet që u duhen bashkive për të garantuar shërbime cilësore, ndërsa vuri në dukje si element të rëndësishëm edhe integrimin europian.
Sipas Maznikut, objektivi i Shqipërisë për të mbyllur negociatat në vitin 2027 dhe për t’u anëtarësuar deri në vitin 2030 kërkon bashki më të forta dhe më funksionale, të afta të operojnë sipas standardeve që shkojnë përtej atyre kombëtare.
“Në vitin 2027 ne synojmë të mbyllim negociatat dhe brenda vitit 2030 të bëhemi anëtarë. Ndaj duhet të kemi bashki të afta të funksionojnë në një koncept që nuk është vetëm shqiptar. Si e ulim diferencën mes zonave? Si ndërtojmë bashki eficiente, me burime njerëzore dhe financa të mjaftueshme, por njëkohësisht edhe afër qytetarit? Ku qëndron balanca mes këtyre dy elementëve? Si sigurojmë që çdo zonë në Shqipëri të ketë zhvillim të ngjashëm? Këto janë çështje kyçe për debat”, u shpreh ai.
Në përfundim, Mazniku theksoi se vetëm përmes një diskutimi të thelluar mbi këto tema mund të arrihet në një zgjidhje të qëndrueshme dhe të pranueshme për 30–40 vitet e ardhshme.
Komente









