Deputetja e Partisë Socialiste, Elisa Spiropali, është shprehur se bashkitë duhet të kenë më shumë kompetenca dhe kryebashkiakët të mos trajtohen si prefektë apo si drejtorë komunaleje.
Spiropali tha gjithashtu se nuk do të votojë për përjashtimin nga Grupi i PS të asnjë deputeti, që do të votojë sot kundër propozimit të socialistëve për Reformën Territoriale.
Kjo deklaratë e Spiropalit erdhi pasi kryeministri Edi Rama mësohet se paralajmëroi deputetët socialistë në mbledhjen e grupit se kush do të votonte kundër për 'Territorialen' do të largohej nga PS. I vetmi që ka deklaruar votën kundër dhe që vijon me këtë qëndrim ka qenë Erion Braçe dhe mesa duket.
"Në këtë Parlament po bëhet teatër. Kemi jashtë njerëz që protestojnë, kemi një mungesë kohezioni, besimi te institucionet, te partitë politike, te ne që jemi këtu. Është bërë gati e pamundur të jesh në jetën publike dhe të mos reflektosh kur je në Kuvend dhe kur je jashtë, për atë që duhet ta bënim së bashku, por sëbashku e kemi rrënuar për vite të tëra. Reforma Territoriale nuk është një reformë, sepse problemi nuk është sesa bashki kemi, por pyetja është sesa pushtet duhet të kenë bashkitë. Sa kompetenca, sa financa, sa përgjegjësi u takojnë komuniteteve lokale. A duhet të ketë një reformë territoriale pa autonomi vendore dhe pa decentralizim të vërtetë? Mund të ndryshosh hartën, është e lehtë, por a mund të ndryshojmë ne sëbashku dhe të reformojmë pushtetin dhe mënyrën sesi ushtrohet.
Nga pushteti vendor mund ta kalojmë këtë analizë te të gjitha pushtetet. A ndihen sot qytetarët më pranë vendimmarrjeve apo më larg. Pas diskutimeve sot dhe pas votimit, ne do vijojmë me procesin e decentralizimit, që është filozofia e organizimit të shtetit tonë dhe shkon përtej hartave e numrave. Nëse kërkojmë më shumë përgjegjësi për bashkitë, duhet të diskutojmë edhe për autonominë e institucioneve. Duhet të kërkojmë më shumë përgjegjësi nga çdo nivel qeverisje. Nuk mund të flasim për shpërndarjen e pushtetit në territor, pa diskutuar për përqëndrimin e pushtetit. Këtu dua të kaloj te ushtrimi i pushtetit për llogari të të mirës publike e qytetarëve.
Duhet të dalim këtu te një reformë territoriale që ndryshon edhe raportin demokratik të forcave. Kryetarët e bashkive nuk mund të trajtohen as si prefekt, as si drejtorë komunale, as si elementë të rëndësishëm të partisë në pushtet. Duhet t'u japim atyre kompetencat, peshën, përgjegjësinë. Ata s'mund të thirren nëpër takime dhe të trajtohen sikur janë vartës. Është bërë një progres në rrugën tonë të integrimit, por si e ushtrojmë ne pushtetin që kemi fituar. Prandaj më vjen keq kur dëgjoj nga kolegë të mitë që flasin me tone triumfaliste, pa vend. Nuk duhet ne t'i fitojmë të gjitha bashkitë. Shqipërisë i duhet më pak përqëndrim pushteti dhe i duhet një shtet më i fortë se individët. Duhet që institucionet tona të jenë më të forta se njerëzit që ushtrojnë pushtetin. Edhe sistemi zgjedhor duhet i hapur, qytetarët duhet ta dinë kë votojnë. S'jemi këtu vetëm për 2 njerëz. Unë nuk jam e gatshme që të votoj për asnjë përjashtim në grup. Kam bërë edhe vetë, kam mbajtur një qëndrim në një kohë të caktuar, por nuk ka qenë personal, por për modelin", tha mes të tjerash Spiropali.
Lajmi kryesor:
LIVE TV - ‘Territorialja’, seancë maratonë në Kuvend/ PD: Po asgjësoni 15 bashki, duhet referendum! PS: Asnjë shërbim nuk largohet! ‘Pendohet’ Sinaj, kritika Braçe! Mbërrin Rama




