Seanca plenare e ditës së sotme do të ketë në qendër hartën e re territoriale me 46 bashki, e cila është kundërshtuar vazhdimisht nga opozita.

Ndarja e re me 15 bashki më pak nuk ka as aprovimin e dy socialistëve, Erion Braçes dhe Vullnet Sinajt duke e kthyer votën e tyre në vendimtare pasi që të miratohet, nevojiten 84 vota.

Për të plotësuar numrin e nevojshëm të votave, në seancë pritet të jenë edhe kryeministri Edi Rama, e Belinda Balluku, me mungesa të konsiderueshme këto kohë në sallën plenare.

Opozita ka deklaruar se do të zhvillojë protesta brenda e jashtë Kuvendit. Në të njëjtën kohë që nis seanca, në orën 10:00, mbahet edhe protesta e flamingove, por nuk është ende e qartë nëse opozita do të kërkojë t’u bashkohet.

Veç këtyre zhvillimeve, rendi i ditës parashikohet të jetë mjaft i ngjeshur, me 4 interpelanca, një me kërkesë të PD për ministrin e Brendshëm lidhur me proporcionalitetin e reagimit të policisë ndaj protestuesve. Dy të tjera, një e kërkuar nga socialisti Ermal Pacaj dhe një nga kreu i grupit të PL, Tedi Blushi, i drejtojnë pyetje ministrit Enea Karakaçi për autostradën Milot-Balldre dhe TEC-et lundruese në Vlorë, ‘Tigri 1’ dhe ‘Tigri 3.’

Blushi ka kërkuar edhe një interpelancë me ministrin e Financave për uljen e çmimeve të produkteve bazë dhe mbrojtjen e fuqisë blerëse.

Në rend dite parashikohen edhe 8 projektligje të tjera veç ‘Territoriales’ si dhe 2 projektvendime, një prej tyre për ngritjen e një komisioni hetimor për ‘KAYO.’

Axhenda e plotë:

I. Mbledhjen e Kuvendit në seancë plenare në datën 8.10.2026, ora 10:00.

II. Rendi i ditës i seancës plenare është si më poshtë:

1. Miratimi i procesverbalit të seancës plenare të datës 5.10.2026.

2. Njoftime.

3. Interpelancë urgjente me Ministrin e Punëve të Brendshme, z. Ervin Demo, kërkuar nga një grup deputetësh të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

4. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Ermal Pacaj.

5. Interpelancë me Ministrin e Infrastrukturës dhe Energjisë, z. Enea Karakaçi, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

6. Interpelancë me Ministrin e Financave, z. Petrit Malaj, kërkuar nga deputeti Tedi Blushi.

7. Projektligji "Për ndarjen administrativo-territoriale të njësive të qeverisjes vendore në Republikën e Shqipërisë"

8. Projektligji "Për ratifikimin e konventës së Këshillit të Evropës për Mbrojtjen e Profesionit të Avokatit, bërë në Luksemburg, më 13 maj 2025".

9. Projektligji "Për ratifikimin e marrëveshjes, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut, për ngritjen e pikave të përbashkëta të kalimit kufitar ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe kryerjen e veprimtarive të përbashkëta të kontrollit kufitar".

10. Projektligji "Për disa ndryshime në ligjin nr. 9662, datë 18.12.2006, “Për bankat në Republikën e Shqipërisë"

11. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 133/2013, "Për sistemin e pagesave".

12. Projektligji “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 10431, datë 9.6.2011, “Për mbrojtjen e mjedisit”, të ndryshuar".

13. Projektligji "Për treguesit gjeografikë për produktet artizanale dhe industriale". 14. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 52/2025, “Për markat tregtare".

15. Projektligji "Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 53/2025, "Për patentat, modelet e përdorimit dhe certifikatat e mbrojtjes shtesë"

16. Projektvendim "Për ngritjen e komisionit hetimor të Kuvendit, "Për kontrollin e ligjshmërisë të veprimtarisë së shoqërisë shtetërore "KAYO" sh.a., në drejtim të marrëveshjeve të bashkëpunimit, prodhimit, importit, eksportit dhe tregtimit të armëve, municioneve dhe pajisjeve ushtarake".

17. Projektvendim "Për disa ndryshime në vendimin nr. 87/2026, “Për caktimin e anëtarëve zëvendësues në përbërjen e komisioneve të përhershme të Kuvendit'"". 18. Diskutime për çështje jashtë rendit të ditës.

III. Ngarkohen shërbimet e Kuvendit për publikimin e rendit të ditës të seancës plenare, njoftimin e anëtarëve të Kuvendit me anë të mjeteve të komunikimit elektronik, si dhe përgatitjen e dokumentacionit parlamentar që do të shqyrtohet.

IV. Ky urdhër hyn në fuqi menjëherë.  

Lajm në përditësim...

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 08:21
‘Mos voto reformën territoriale’, Partia e Lirisë: Sot duhet t’i themi ndal shpopullimit të Shqipërisë, jemi krah qytetarëve

Vetëm pas pak orësh Kuvendi do të votohet për hartën e re territoriale dhe nga opozita ka ardhur thirrja e parë për ditën e sotme për ndalimin e saj. Deputetja e Partisë së Lirisë, Erisa Xhixho, ka shpërndarë një postim në rrjetet sociale ku shkruan ‘Mos voto reformën territoriale’ dhe bën thirrje se duhet të ndalet projekti i Ramës për shpopullimin e Shqipërisë.

Ajo shkruan se reduktimi i numrit të bashkive do të centralizojë pushtetin dhe do të largojë shërbimet e qytetarëve. Xhixho shprehet se do të jenë krah këtyre të fundit dhe s’do të lejojnë që Shqipëria të trajtohet si “plaçkë elektorale.”

Reagimi i plotë:

Sot duhet t'i themi NDAL projektit të Edi Ramës dhe qeverisë së tij për shpopullimin e Shqipërisë!

Reforma e re territoriale nuk është një reformë për qytetarët. Është një skemë politike që synon të përqendrojë më tej pushtetin dhe të krijojë avantazhe elektorale.

Reduktimi i numrit të bashkive do të largojë shërbimet nga qytetarët, duke lënë zona të tëra në funksion të planeve të qeverisë dhe klientëve të saj.

Kjo ndarje territoriale bie ndesh me Kushtetutën dhe Kartën Europiane për Vetëqeverisjen Lokale. Mbi të gjitha, ajo përplaset me vullnetin e komuniteteve të 15 bashkive që refuzojnë shkrirjen.

Ne do të jemi në krah të qytetarëve. Do të jemi zëri i tyre përballë një pushteti që po vendos interesin e vet politik dhe interesat e klientëve mbi interesin e qytetarëve.

Shqipëria nuk mund të trajtohet si plaçkë elektorale!