FIER-Dy persona janë arrestuar pasditen e djeshme. Sipas policisë në vendin e quajtur lokal “Gjermani” në bregdetin e Semanit, Ilir Boriçi 41 vjeç, i dënuar më parë për armëmbajtje pa leje ka qëlluar në drejtim të lokalit duke shkaktuar dëme materiale.
 
Policia ka arrestuar menjëherë autorin, ndërsa nga të shtënat më armë zjarri janë dëmtuar pajisjet e lokalit të 23-vjeçarit me inicialet A.C.
 
Ilir Boriçi akuzohet për 4 vepra penale, “Mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve", "Shkatërrimi i pronës", "Kanosja" dhe "Prishja e qetësisë publike".
 
Ndërsa përpos tij në pranga ka rënë edhe Artur Dinaj 38 vjeç, banues në lagjen “Apollonia” edhe ky i dënuar më parë për "Armëmbajtje pa leje" dhe "Prishje të qetësisë publike".
 
Arrestimi i tij u bë për veprat penale "Moskallëzim i krimit" dhe "Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës" parashikuar nga Nenet 300 dhe 301 të Kodit Penal.
 
Në cilësinë e provës materiale në vendin e ngjarjes u gjetën dhe sekuestruan shtatë gëzhoja pistolete, ndërsa vazhdojnë hetimet për zbardhjen e motiveve të ngjarjes.
 
 

dy.b/shqiptarja.com