Terror, ministrat e PD ‘burgosin’
punonjësit, kontroll Facebook-ut

Terror, ministrat e PD ‘burgosin’<br />punonjësit, kontroll Facebook-ut
Situatë e paprecedentë në administratën shtetërore. Republika e Re në gjurmët e mentalitetit dhe arbitraritetit të partisë së vjetër. Futja e Partisë Demokratike në çadrën e qeverisë, si një garanci ekstreme për procesin zgjedhor, ka prodhuar terror në gjysmën e administratës publike.

Punonjësit e gjashtë ministrive më të rëndësishme, të cilat drejtohen përkohësisht nga ministrat ‘teknikë’, të propozuar nga Partia Demokratike, po kalojnë ditë të mbushura me kërcënime, me kufizim të lirisë së lëvizjes, me mbikëqyrje të vazhdueshme, me urdhra arbitrarë dhe me rregulla nga më të çuditshmet.

Nën kërcënimin me pezullim nga detyra dhe me kallëzim penal, zyrat e administratës të sektorëve të drejtuar nga ministrat ‘teknikë’, kanë marrë trajtën e qelive të burgut. Situata më e rëndë është në Ministrinë e Financave, në të cilën ka nisur edhe një konflikt midis ministres dhe zëvendësministres. Pas urdhrit të ministres së Financave Helga Vukaj, për ndërprerjen e pushimeve vjetore për të gjithë punonjësit, deri në datën 30 Qershor, që të shmangej dalja e tyre në fushatë, administrata po përballet me kufizime të tjera.

Shqiptarja.com ka mësuar se punonjësit nuk lejohet të zhvillojë vizitat e planifikuara jashtë vendit, për çështje që lidhen me detyrën. Gjithashtu, punonjësit e ministrive dhe të degëve saj nuk lejohen të dalin nga zyra, gjatë 8-orashit të punës. Në Ministrinë e Financave kufizimet shkojnë më në skaj, ku punonjësit nuk lejohen që të lëvizin as nga karrigia gjatë orarit të punës. Pra, në tejkalim të kompetencave, ministrave ka ndërprerë çdo lëvizje të punonjësve jashtë zyrës.

Ndërkaq, monitorimi i administratës në ministritë e drejtuara nga PD është i shumëfishtë. Sipas burimeve, ministrat ‘teknikë’ kanë angazhuar të besuarit e tyre për të monitoruar edhe llogaritë në Facebook të punonjësve. Facebook-u monitorohet se sa herë hapet nga punonjësit gjatë orarit të punës, nëse marrin mesazhe propagandistike etj. Po ashtu, monitorohen me kujdes aktivitetet elektorale të Partisë Socialiste për të pikasur ndonjë punonjës. Lëvizjet e punonjësve jashtë orarit të punës janë gjithashtu nën vëzhgim.

Përplasja
Zv/ministrja e Financave, Irena Beqiraj, e konsideron të jashtëligjshëm urdhrin e ministres së Financave Helga Vukaj, për ndërprerjen e pushimeve vjetore, për të gjithë punonjësit, deri në datën 30 Qershor. Ditën e djeshme, në tavolinën e Helga Vukajt ka mbërritur një memo e zonjës Irena Beqiraj, ku kërkohet reflektim për urdhrin e parë. Në memo shkruhet se nuk është përgjegjësi e ministres, menaxhimi i burimeve njerëzore, por e drejtuesit më të lartë civil, në këtë rast Sekretarit të Përgjithshëm.

“Ministri është përgjegjës për drejtimin e politikës shtetërore të Ministrisë që ai drejton dhe nuk ka kompetencë për të vepruar në lidhje me administrimin e Burimeve Njerëzore”, thuhet në shkresë. Memoja i përmend pozicionin dhe fuqinë që ministri ka mbi kategorinë e lartë drejtuese dhe jo mbi stafin teknik. Shkresa mbyllet duke i kërkuar Ministres, që të qëndrojë e distancuar nga administrata publike dhe funksionimi normal i saj dhe kjo, thuhet në këtë letër, nuk sigurohet nga nxjerrja e urdhrave në kundërshtim me ligjin.

Helga Vukaj nuk ndalet
Menjëherë pas shkresës së zv/ministres së Financave, Irena Beqiraj, Helga Vukaj ka firmosur kallëzimin penal për Kliton Bistrin, Inspektor i Hetimit Tatimor. Ai dyshohet se ka marrë pjesë në fushatë gjatë orarit të punës dhe sipas njoftimit të Ministrisë së Financave është në kundërshtim flagrant me ligjet në fuqi dhe urdhrin e Kryeministrit.

Vetë kreu i qeverisë tha gjatë një aktiviteti në Lezhë tha se administrata është e lirë të marrë pjesë në fushatë jashtë orarit zyrtar. Deri tani janë bërë disa shkarkime të punonjësve të administratës. Ndërkaq, nuk kanë munguar as skandalet e para të ministrave ‘teknikë’. Përpos urdhrave të paligjshëm, ministri i Brendshëm, Dritan Demiraj  është përfshirë në një skandal mjaft të rëndë, duke kompromentuar kështu pozicionin e tij si titullar i një dikasteri ndër më të rëndësishmit në kabinet.

Ai është filmuar teksa ndërhyn në një operacion të prokurorisë për të sekuestruar disa prozhektorë, që dyshohet se kanë shkaktuar helmimin e dhjetëra personave në mitingun hapës të Partisë Demokratike, të shtunën në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Në videon e siguruar nga Report Tv, duket ministri i Brendshëm teksa nuk lejon punën e Prokurorisë për të mbledhur provat dhe zbardhur ngjarjen ku mbetën të lënduar në mitingun e PD rreth 140 mbështetës. 


dy.b/shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur

Paris 2024/ Mundësi Valiev fitoi medaljen historike për Shqipërinë, Rama: Një lajm që flet shumë! Komitetit ynë Olimpik ka rilindur