Ata që panë makinën duke ardhur me shpejtësi të madhe tregojnë: “Duket se po përpiqej të përplaste sa më shumë njerëz të ishte e mundur”. Burri që të shtunën e zhyti Modenën dhe gjithë Italinë në makthin e terrorizmit synonte të kryente një masakër. E gjitha ndodhi pasditen e së shtunës, kur Via Emilia po fillonte të gjallërohej. Ndodhet në zemër të qytetit, pak hapa larg Piazza Grande. Ditë e qetë, shumë njerëz kishin dalë jashtë për një shëtitje me familjet ose për pazar.

Makina që papritur kalon mes turmës është një Citroën C3. Në timon ishte Salim El Koudri, 31 vjeç, me diplomë në ekonomi. Ka origjinë marokene, por ka lindur në Seriate, në Bergamo dhe jeton në Modeas. Ndërsa njerëzit shëtisin të pavetëdijshëm për rrezikun, ai merr vrull. Nga një rrugë anësore del në Largo Garibaldi dhe prej andej drejtohet drejt Via Emilia, ku rruga ngushtohet. Është zonë me trafik të kufizuar, por makina e çmendur nuk ndalet as para semaforit të kuq. 31-vjeçari shtyp fort gazin. Makina e vogël vjen si raketë. “Po ecte jashtëzakonisht shpejt, me siguri mbi njëqind në orë”, rrëfyen dëshmitarët.

Faktin që po përpiqej të godiste sa më shumë njerëz e konfirmojnë edhe videot e kamerave të sigurisë që e kanë kapur skenën nga kënde të ndryshme. Gjithçka është dokumentuar në mënyrë dramatike, me pamje që vështirë shihen. Makina fillimisht përplasi një burrë me biçikletë dhe disa këmbësorë në të djathtë, pikërisht në hyrje të Via Emilia. Pastaj shoferi duket i pavendosur nëse do të qëndrojë në atë anë apo të kalojë në tjetrën. Makina bën zigzage dhe pastaj drejtohet majtas, duke përplasur këmbësorë të tjerë. Më pas vazhdon derisa përplaset me vitrinën e një dyqani veshjesh.

Ajo që shohin ata që mbijetuan është një skenë e vërtetë lufte. Gjak kudo dhe britma të tmerrshme të të plagosurve. Në asfalt mbeten gjurmët e asaj që mund të ishte një masakër edhe më e madhe. “Pamë të fluturonin në ajër këpucë, çanta, sende të ndryshme”, tregojnë dëshmitarët, “nuk dinim çfarë të bënim dhe kë të ndihmonim të parin”. Në tokë mbetën të paktën 15 të plagosur. Disa u trajtuan aty. Tetë u transportuan në spital. Katër prej tyre janë menjëherë në gjendje të rëndë. Një grua u përplas rëndë dhe iu amputuan këmbët: është në rrezik për jetën. Më vonë në mbrëmje u raportua se edhe një tjetër i plagosur ka pësuar amputim të gjymtyrëve të poshtme.

Por nuk mbaron këtu. Pas ngjarjes, sulmuesi qëndron për disa çaste i palëvizur brenda makinës. Duket se heziton. I afrohet një dëshmitar që e kishte parë skenën, Luca Signorelli. Në atë moment nuk ishte ende e qartë nëse bëhej fjalë për një sulm apo për një aksident. Ai afrohet për ta ndihmuar, por sulmuesi hap derën papritur dhe arrin të largohet. Kalimtarë të tjerë e ndjekin. Ndjekja përfundon në një rrugicë anësore. Edhe kjo skenë është dokumentuar nga kamerat dhe video të kalimtarëve. Një grup njerëzish i hidhen 31-vjeçarit dhe e neutralizojnë.

Janë gjithsej pesë persona (“mes tyre edhe dy emigrantë”, tha më vonë kryetari i bashkisë së Modenës Massimo Mazzetti), por është Signorelli ai që pëson pasojat e përplasjes me sulmuesin, i cili nxjerr një thikë. Ai plagoset lehtë në zemër dhe më pas në kokë.

Me fytyrë ende të gjakosur, Signorelli tregon se e ka dëgjuar të thoshte fraza të pakuptimta “sikur të ishte nën efektin e alkoolit ose drogës”. Por më vonë policia e përgënjeshtron këtë: “testet nuk treguan përdorim alkooli apo droge”. Nga hetimet rezulton se deri në vitin 2024 ai ishte trajtuar në një qendër psikiatrike në Castelfranco Emilia për “çrregullim të personalitetit”.

Një detaj që nuk e zvogëlon aspak rëndësinë e ngjarjes. Edhe pse ende nuk është i qartë motivi, nga dinamika duket se Salim El Koudri mund të ketë tentuar të imitojë sulme të tjera terroriste, si ato në tregjet e Krishtlindjeve në Gjermani ose në Promenade des Anglais në Nisë. Ai nuk ka precedentë penalë dhe hetimet e para nuk tregojnë lidhje me grupe terroriste apo radikalizim. Megjithatë është arrestuar për masakër.

Sa u përket të plagosurve, më rëndë janë një grua 55-vjeçare që ka humbur këmbët dhe ndodhet në rrezik për jetën në reanimacionin e spitalit të Bolonjës. Aty është transferuar edhe një burrë tjetër 55-vjeçar, i cili gjithashtu ka pësuar amputim të gjymtyrëve të poshtme. Në Baggiovara janë të shtruar një grua 53-vjeçare, një tjetër 63-vjeçare dhe një burrë 69-vjeçar. Në Poliklinikën e Modenës ndodhen një grua 27-vjeçare, një tjetër 71-vjeçare dhe një burrë 57-vjeçar./Corriere della Sera