Dy ditë pas ngjarjes prokuroria e krimeve të rënda ka zbardhur dhe dinamikën e veprimeve agresive të Xhmes, kur rezulton se fillimisht në një pikë karburanti ai ka tentuar të marr me dhunë në automjet një vajzë. Falë ndërhyrjes së personave të rastësishëm pasi vajza ka bërtitur duke kërkuar ndihmë pengmarrja nuk është realizuar dhe ai është larguar.

Tentativa e dytë është më një djalë të ri i cili teksa ndodhej në kafe është thirrur nga Xhema që ndodhej në automjet. Djali ka treguar për hetuesit se është afruar pranë Xhemës me idenë se ishte turist dhe kërkonte ndonjë informacion ose adresë por papritur ka rënë pre e dhunës dhe veprimeve agressive të Xhemës duke u goditur me grusht dhe ndjekur nga pas deri në derën e tualetit ku i riu u fsheh.

Në tentativën e tretë Xhema ka ndaluar një automjet në rrugë duke i dalë para dhe i ka kërkuar shoferit të zbresë nga makina duke e nxjerrë me forcë nga xhami por në këtë moment kanë ndërhyrë forcat e policisë të cilët ishin vënë në ndjekje pas denoncimit të dy rasteve të para.
 

Ngjarja

Nga veprimet e deritanishme hetimore, rezulton se, i dyshuari udhëtonte në rrugët e qytetit me mjetin e tij, tip Audi A5. Në tre momente të ndryshme, ai ndalonte makinën dhe ka tentuar të marrë me forcë dhe t’i marrë në makinën e tij, 3 persona, dy meshkuj dhe një femër. Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se ai shfrytëzonte forcën e tij fizike për të tërhequr me dhunë persona që nuk kishin asnjë njohje dhe asnjë lidhje me personin e dyshuar.

Vendet e përzgjedhura prej tij për të tentuar rrëmbimin e personave ishin rastësore. Personi i parë, një vajzë, është tentuar të rrëmbehet në rrugë, pranë një karburanti. Vajza, e tronditur nga veprimet e shpejta dhe të forta të të dyshuarit, ka kërkuar ndihmë, në kohën kur Xhema ka përdorur forcën për ta hipur të dëmtuarën në mjetin e tij. Ndërhyrja e disa personave që gjendeshin në atë moment e penguan agresorin të realizonte qëllimin e tij, i cili u detyrua të largohej vetëm në mjet.

Më tej, i dyshuari ka vijuar udhëtimin në rrugët e qytetit të Vlorës dhe ka ndaluar përballë një lokali, ku gjendej vetëm një djalë, i ulur në një tavolinë. I dyshuari Xhema i ka bërë shenjë që djali të afrohet dhe ky i fundit, duke menduar se mund ta ndihmonte me ndonjë informacion, ka shkuar pranë makinës së agresorit.

Ky i fundit ka tentuar ta rrëmbejë me forcë, duke e goditur me grusht në fytyrë. Djali është larguar me shpejtësi, duke hyrë në tualetin e lokalit. Por, edhe aty, Xhema ka shkuar dhe, duke shkatërruar me forcë derën e tualetit, e ka goditur sërish me grusht në fytyrë dhe e ka tërhequr me forcë për ta nxjerrë jashtë lokalit. Sërish, disa persona të rastësishëm kanë ndërhyrë, duke e shmangur sërish qëllimin e agresorit, i cili hipi në mjetin e tij dhe u largua me shpejtësi.

Pak minuta më vonë, ai i ka bllokuar rrugën një mjeti tip BMV, në drejtimin e së cilës ka qenë një djalë, i shoqëruar nga një miku i tij. Agresori Xhema, pasi e ka detyruar të dëmtuarit të ndalojë mjetin, ka tentuar ta nxjerrë atë me forcë nga xhami i shoferit.

Pas disa tentativave të dështuara, në atë moment kanë ndërhyrë forcat e Policisë, të cilat ishin njoftuar për dy rastet e para dhe ishin vënë në kërkim të mjetit të shtetasit kosovar Dijar Xhema.

Në bazë të veprimeve hetimore të deritanishme, Prokuroria për Krime të Rënda ka krijuar dyshimet se Dijar Xhema ka konsumuar elementët e veprës penale të “Veprimeve me qëllime terroriste”, në formën e parashikuar nga neni 230, pika “g” të Kodit Penal, sipas të cilit:

Veprat me qëllime terroriste përfshijnë:
....
g) pengmarrjen ose rrëmbimin e personit dhe kanosjen për të vrarë, për të plagosur ose për të vazhduar mbajtjen e tij peng;

Redaksia Online
(F.T/shqiptarja.com)