Në zemër të sistemit të riedukimit dhe konkretisht në burgun e Koridalosit përgatitej të godiste Kristodulos Ksiros. Goditja madje do të kryhej këto ditë, siç rezulton nga deklaratat e ministrit të rendit dhe mbrojtjes së qytetarit, Vasilis Kikilias dhe drejtorit të përgjithshëm të policisë, Dhimitris Tsaknakis, lidhur me ecurinë e hetimeve pas arrestimit të terroristit të arratisur.

Kristodulos Ksiros

Në banesën e Ksiros, në Anavyso është gjetur një numër i madh armësh, lëndësh eksplozive dhe shumë sendeve që përdoren për ndërtimin e mekanizmave eksplozivë. Kështu, ndër të tjera u gjetën tetë automatikë Kallashnikovë, tre pistoleta, një raketëhedhëse, tri predha RPG, një numër i madh krehrash të lidhura ndërmjet tyre, fishekë të panumërt kallashnikovi, etj.

Kristodulos Ksiros 2

Ministri  tha se nuk ishte fjala thjesht për arrestimin e një terroristi, po për një arrestim me dimensione të rëndësishme, pasi u evitua një goditje terroriste tepër serioze.

Arrestimi i Kristodulos Ksiros është përshëndetur edhe nga Departamenti Amerikan i Shtetit, që deklaroi se përgëzon autoritetet greke dhe gjithë ata që morën pjesë në arestimin e terroristit. 

Kristodulos Ksiros 3

 
Sipas policisë greke ish-militanti i grupit të armatosur “17 nëntori”  që në 25 vjet luftë ka kryer 22 vrasje, u arratis nga burgu një vit më parë në 7 janar, duke shfrytëzuar një leje.

Organizata me frymëzim marksist dhe anti kapitalist merr emrin e saj nga revolta e Politeknikut, që u shtyp me dhunë dhe shënoi nisjen e rënies së diktaturës së kolonelëve.

Organizata mban përgjegjësi për shumë vrasje politike duke filluar me atë të përgjegëjsit së bazës së CIA-s në Athinë dhe që atëherë ka marrë përsipër 22 vrasje, të fundit të kryer në vitin 2000. Për rreth 30 vjet ajo ishte e paprekshme. Arrestimet e para që më pas çuan dhe në shpërbërjen e grupit nisën në 2003, si pasojë e presioneve të forta ndërkombëtare.


Redaksia Online
(g.f/Shqiptarja.com)