Gjatë ditës së sotme në Tiranë është mbajtur  takimi tripalësh mes drejtuesve të Strukturave Kundër Terrorizmit, mes policive të Shqipërisë, Kosovës dhe policisë italiane.

Ky takim kishte për synim forcimin dhe intensifikimin  e bashkëpunimit  në parandalimin dhe goditjen e çdo veprimtarie terroriste, që kërcënon vendet përkatëse.

Drejtori i Policisë së Shtetit, Haki Çako, ka përshëndetur takimin në fjalë si dhe  shprehu gatishmërinë për një bashkëpunim sa më të shpejtë dhe efikas  të informacioneve nga vendet respektive. Ai vlerësoi punën e deritanishme si dhe shprehu konsiderata për punën e bërë në identifikimin dhe parandalimin e rasteve terroriste.

Njoftimi i plotë i Policisë së Shtetit  mbi takimin tripalësh:

Në Tiranë u zhvillua takimi i radhës 3 palësh ndërmjet Drejtuesve të Strukturave Kundër Terrorizimit të Policisë së Shtetit të Shqipërisë, Italisë dhe Kosovës.

Takimi u zhvillua në kuadër të vlerësimit të kërcënimeve aktuale terroriste në vendet tona, rajon e më gjerë me qëllim koordinimin e masave dhe forcimin e bashkëpunimit për parandalimin e goditjen në kohë të çdo veprimtarie terroriste.

Takimin e përshëndeti Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Drejtues Madhor Haki ÇAKO i cili pasi falënderoi të pranishmit dhe i siguroi ata për mbështetje pa asnjë rezervë në shkëmbimin e shpejtë të informacionit dhe veprime të tjera në planin operacional e hetimor.

Z. ÇAKO vlerësoi punën e bërë dhe rezultatet e arritura në parandalimin, hetimin dhe goditjen e veprimtarive terroriste në Shqipëri, Itali e Kosovë e cila pa dyshim ka ardhur si rezultat i vullnetit që qeveritë respektive kanë për t’iu përgjigjur sfidave e mbështetur këto struktura ndaj çdo kërcënimi terrorist.

Më pas palët diskutuan në nivel teknik për problematika të veçanta në ndjekje si dhe domosdoshmërinë për forcimin e bashkëpunimit në nivel operacional dhe shkëmbimi i informacionit për rastet kur ka të dhëna për veprimtari radikale/terroriste në të tre vendet.
cako

(Takimi në Tiranë mes policisë së Shqipërisë, Kosovës dhe policisë italiane)

Redaksia Online
N.M/Shqiptarja.com