Sulmeve kibernetike nuk i ka shpëtuar as sektori më jetik në vend, ai i shëndetësisë. Lajmin për një sulm të tillë që e cilësoi deri në kufijtë e aktit terrorist e dha Drejtori i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike, Igli Tafa, gjatë raportimit të tij të mërkurën në komisionin e posaçëm të dezinformimit.
“Ky ishte një terrorizëm kibernetik, nuk është sulm kibernetik siç jemi mësuar. Sepse sulmet ndaj sistemeve jetike të vendit quhen terroriste. Të martën e javës së kaluar një spital na njoftoi për një shkatërrim në masë të të gjitha të dhënave. Grupi prej 7 personash nga autoriteti shkuan menjëherë atje, ndërsa 12 të tjerë në distancë me qëllim që ta kthenim në shërbim të menjëhershëm”, tha Igli Tafa, drejtor i AKSK.
Tafa sqaroi se ndaj spitalit, i cili ende nuk është bërë i ditur nëse është publik apo privat, është synuar shkatërrimi i sistemit teknologjik për shërbimet bazë, nga një grup hakerash nga Koreja e Veriut.
“Kemi qenë nga e marta në orën 10:00, deri ditën e djeshme (të martën) kur u kthyen të gjitha shërbimet dhe e menaxhuam në mënyrë të tillë që të mos kishte panik. Ishte shkatërruar imazheria, rezonanca magnetike, skaneri, laboratori i analizës së gjakut dhe një sasi të dhënash të pacientëve që u rikthyen të gjitha shërbimet. Nuk ka qenë sulm i brendshëm, ka qenë sulm i jashtëm me shumë mundësi nga Koreja e Veriut”, shpjegoi kreu i Autoritetit Kombëtar të Sigurisë Kibernetike.
Grupi i hakerave i dyshuar nga Koreja e Veriut nuk ia ka arritur qëllimit për shkatërrimin e të dhënave falë ndërhyrjes në kohë, por Tafa i cili thotë se mund të rrezikohen edhe institucione të tjera shëndetësore, sugjeron të investohet në mbrojtjen teknologjike.