Një pjesë e tërë e Palazzo Pitti është mbyllur, që nga 3 shkurti, deri në një datë të pacaktuar, për “mirëmbajtje të jashtëzakonshme”. Bizhuteritë më të çmuara të thesarit të Dukëve të Mëdhenj janë transferuar me nxitim në kasafortën e Bankës së Italisë. Dyert dhe daljet e sigurisë janë përforcuar brenda natës me gëlqere dhe tulla. Punonjësve u është dhënë urdhër të mos flasin për këtë.
Dy muaj më parë, si edhe sot, Gallerie degli Uffizi po përballen me një kërcënim: pikërisht mes fundit të janarit dhe fillimit të shkurtit një grup hakerash arriti të depërtojë në rrjetin informatik të kompleksit muzeal fiorentin që përfshin përveç galerive, edhe Palazzo Pitti dhe Giardino di Boboli. Versioni zyrtar, i përhapur menjëherë më pas, fliste në mënyrë të përgjithshme për sisteme administrative të goditura, por ajo që ndodhi në prapaskenë zbulon përmasën reale të sulmit, me serverë të zbrazur: para së gjithash është vjedhur i gjithë arkivi i kabinetit fotografik, pra piktura dhe dokumente të dixhitalizuara në dekada pune dhe që tani janë pjesërisht të humbura. Madje ka mbërritur edhe një kërkesë për shpërblim prej 300 mijë eurosh brenda 72 orësh, e dërguar drejtpërdrejt në telefonin personal të drejtorit Simone Verde.
Hajdutët kanë arritur gjithashtu të hyjnë në sistemet e zyrës teknike, duke shtënë në dorë kode aksesi, fjalëkalime, sisteme alarmi, harta të brendshme, hyrje, dalje dhe rrugë shërbimi. Ata njihnin edhe vendndodhjen e kamerave të sigurusë dhe sensorëve. Këto të dhëna thelbësore hajdutët kërcënojnë t’i shesin në rrjetin e errët nëse muzeu nuk paguan shpërblimin. Prej javësh ata duket se janë zhdukur.
Burimet thonë se pika e dobët e Uffizi-t ishte një program që menaxhon imazhet me rezolucion të ulët dhe më pas shkuan kudo. Gjithçka është e lidhur me serverin: kompjuterët, telefonat, edhe ai i drejtorit. Nuk ka qenë një sulm i menjëhershëm. Aksesi në sistemet e muzeut, sipas asaj që del, daton muaj më parë.
Disa thonë madje që nga gushti i kaluar. Pasi hynë, ata kanë lëvizur ngadalë në rrjet, duke kopjuar të dhënat me kalimin e kohës. Vetëm në fund, kur materiali ishte marrë tashmë, sistemet u bllokuan dhe erdhi kërkesa për shpërblim.
Kush ka hyrë tani njeh strukturën e brendshme të Uffizi-t në detaje shumë të imëta. Madje, ndoshta ka edhe “çelësat”, “logjikën e menaxhimit”: di cilat janë vendimet strategjike, si merren dhe nga kush, si funksionon mekanizmi i mbikëqyrjes. Ndërsa muzeu vazhdonte të funksiononte, ata kanë qëndruar brenda për muaj të tërë: kohë e mjaftueshme për të kaluar nga një kompjuter në tjetrin, nga një telefon në tjetrin, duke studiuar axhenda, kontakte, mesazhe, email-e dhe dokumente të rezervuara.
Uffizi-t nuk janë vetëm muzeu më i rëndësishëm dhe më i vizituar në Itali, një nga më të admiruarit në botë, ruajtës i një trashëgimie historiko-artistike me vlerë të pallogaritshme; ato janë edhe një “ndërmarrje” me një xhiro prej 60 milionë eurosh, me një fluks të përditshëm parash që në ditët më të ngarkuara arrin edhe në gjysmë milioni./Corriere della Sera
Komente








