TIRANË - Për herë të dytë pas pavarësisë qytetarët e Kosovës do të votojnë këtë të djelë në zgjedhjet lokale, me një vemendje të madhe nga opinioni publik por mbi të gjitha nga institucionet ndërkombëtare, çka e bën këtë proces një test të rëndësishëm për pjekurinë dhe funksionimin e shtetit të demokracisë.
 
Vota e së djelës në Kosovë është në qendër të diskutimeve në emisionin Airport nga Erjona Rusi, ku të ftuarit po diskutojnë mbi betejën elektorale të 3 nëntorit. Rezultati këtyre zgjedhjeve do të jetë tregues i rëndesishem jo thjeshjt për drejtuesit e pushtetit vendor por mbi të gjitha do të përcaktojë skenën politike të vendit. Eksperienca në vitet e kaluara ka treguar në fakt se zgjedhjet lokale janë përcaktuese për drejtimin e përgjithshëm politik që merr gjithe vendi.
 
Të ftuarit në studio kanë diskutuar për garën e fortë në Prishtinë, sfida e madhe e kreut të LDK-së Isa Mustafa që lufton për një mandat të tretë dhe për tu rikonfirmuar si lideri i munguar i LDK-së që pas vdekjes së Ibrahim Rugovës si dhe oferta politike e një lideri të ri por shumë premtues si Shpend Ahmeti i Vetëvendosjes. A ka një dëshirë të dukshme nga qytetarët për ndryshim në një kohë kur 13 vjet pas luftës, kryeqyteti i Kosovës ende ballafaqohet me probleme elementare si mungesa e ujit, e çerdheve, ndërtimet pa leje dhe kaosi që shkakton trafiku?
 
A do të ketë një rritje të elektoratit nga dy partitë e mëdha tradicionale LDK dhe PDK, a pritet ndonjë suprizë në këto zgjedhje dhe fenomeni Partia e Fortë e Visar Arifaj. Lidhje të drejtpërdrejta me gazetarë e analistë nga Prishtina për të komentuar mbi votën e së djelës dhe rezultatet e pritshme, por edhe lidhje me autoritetet policore për të diskutuar mbi sigurinë dhe rendin gjatë ditës së votimit.
 
Zëdhënësi i policisë së Kosovës Baki Kelani flet për përforcimin e masave të sigurisë dhe sfidën që paraqet veriu në këtë proces të rëndësishëm elektoral që konsiderohet test për autoritetet e Kosovës. A do të votojnë serbët në veri dhe a ka indicje për ndonjë incident në atë të pjesë të vendit? A do të arrijë Kosova të kalojë këtë test duke zhvilluar një proces të qetë e normal në të gjithë territorin e vendit dhe a do të frenohet Serbia nga nxitja e dhunës në veri?
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)