Studimi ndërkombëtar i arsimit PISA që vlerëson nivelin e nxënësve në nivel parauniversitar, në matematikë, shkencë dhe lexim ka nxjerrë rezultatet e testimit të vitit 2022 edhe për Francën.

Në më shumë se 20 vitet që ka ky program, Franca nuk ka shënuar kurrë një rënie të tillë në rezultatet e tij dhe faktori kryesor që ka ndikuar si për shumë vende të tjera ka qenë pandemia.

“Në matematikë, rënia e vërejtur në Francë në periudhën nga viti 2018 deri në 2022 është më e madhja e vërejtur që nga studimi i parë PISA”, bën te ditur Organizata për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD).

Sipas rezultateve të publikuara të martën, më 5 dhjetor, rezultati mesatar i Francës në matematikë ra me 21 pikë dhe ishte më i ulëti i matur ndonjëherë që nga viti 2000. Megjithatë, vërehet një rënie historike e 81 vendeve që janë studiuar.

E publikuar çdo tre vjet, klasifikimi i PISA-s, fokusohet në tre fusha (shkencë, matematikë dhe të kuptuarit e leximit) dhe ofron zhvillim të thelluar të njërës prej lëndëve. Këtë vit matematika ishte “më e rëndësishmja” në renditje. Studimi bazohet në një kampion prej 690 000 nxënësish 15-vjeçarë, përfshirë 6 770 në Francë.

Kjo rënie e performancës është një tendencë globale, ku mesatarja e OECD-së në matematikë ka rënë me 15 pikë në krahasim me vitin 2018. Kjo rënie "e paprecedentë", e vërejtur edhe në lexim, është si pasojë e "efektit shokues të Covid-19 në shumicën e vendeve”, thekson organizata ndërkombëtare. 

Edhe Shqipëria ka shënuar rënie të madhe në testin e PISA 2022. Në krahasim me testimin e vitit 2018, sipas raportit të fundit të PISA, Shqipëria ka humbur më shumë vende se thuajse 81 vendet e analizuara.