'Tetori i Librit', Brahaj dhe Dorian Koçi rikthejnë eruditin e çmuar, At Gjeçovin në Muzeun Kombëtar

'Tetori i Librit', Brahaj dhe Dorian Koçi rikthejnë eruditin e çmuar, At Gjeçovin në Muzeun Kombëtar

Aktiviteti i mbajtur ne Muzeun Historik Kombëtar, Dorian Koçi e Jaho Brahaj

Tetori i Librit” ka vijuar këtë pasdite me aktivitetin e radhës, dedikuar figurës poliedrike të Shtjefën Gjeçovit, që ishte arkeolog, historian, etnograf, mësues i shqipes, mbledhës i folklorit, letrar, dramaturg e përkthyes. Aktiviteti u zhvillua në Muzeun Historik Kombëtar përmes një takimi me studiuesin Jaho Brahaj, ku pati diskutime dhe lexime nga vepra e Shtjefën Gjeçovit.

Studiuesi Jaho Brahaj u shpreh se: "Atë Shtjefën Gjeçovi la gjurmë në fushën e arsimit, arkeologjisë, historisë, etnografisë, sistemimit e kodifikimit të të drejtës zakonore shqiptare, mbledhjes së folklorit, në fushën e krijimtarisë letrare si: prozës, poezisë, dramaturgjisë si dhe përkthimit. Si edhe nuk duhet lënë pa përmendur dhe kontributin e madh në fushën e arkeologjisë."

Ndërkohë në Muzeun Historik Kombëtar është ekspozuar edhe pushka e Shtjefën Gjeçovit e dekoruar me vija dhe lule të gdhendura.

Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar tha në fjalën e mbajtur se: "Faik Konica, i cili e ka takuar Atë Gjeçovin në vitin 1913 shkruan: “Asokohe Atë Gjeçovi ishte prift në katundin e Gomsiqes. Këtu e shkonte jetën, në mes të lutjeve dhe mësimeve, një nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria. Famullia shkollë dhe vend këshillash të mira, u jepte fëmijëve themelet e stërvitjes, u përndante fjalët e urta dhe ngushëllimet e njerëzve në nevojë. Kohën që i tepronte, Atë Gjeçovi ia kushtonte studimit. Merrej me institutet e vjetra të Shqipërisë, nga të cilat një që arrin gjer në ditët tona është Kanuni i Lekë Dukagjinit. Askush nuk mund t’i afrohej Atë Gjeçovit në diturinë e këtij kanuni. Na tregoi një dorëshkrim nja dy mijë faqesh, studim i palodhur e i hollë ku kishte mbledhur dhe renditur të gjitha sa kanë mbetur nga mendimet juridike të Shqipërisë në Kohën e mesme, mendime të cilat ngjan t’i kenë rrënjët shumë përtej Kohës së Mesme”., u shpreh Koçi

Shtjefën Gjeçovi u lind në Janjevë (Kosovë) më 12 korrik 1874. Në vitin 1888 u nis për të ndjekur studimet në Kroaci dhe pas përfundimit të studimeve në vitin 1896 u dorëzua prift. Ai kodifikoi të drejtën zakonore shqiptare, hartoi tekste mësimore, përktheu nga letërsia botërore si dhe vepra me karakter fetar në gjuhën shqipe. U kujdes edhe për trashëgiminë kulturore të popullit shqiptar. Ai ka shpëtuar nga grabitja kambanën e kishës së Shën Andreas në Kështjellën e Krujës. Shumë nga krijimet e Shtjefën Gjeçovit mbetën në dorëshkrime, ku një pjesë ruhet në Arkivin e Shtetit në Tiranë, në Muzeun Historik të Shkodrës dhe në bibliotekën “Marin Barleti” të këtij qyteti.

Gjeçovi ka qenë edhe anëtar korrespondent i Komisisë Letrare Shqipe të Shkodrës (1916-1918).

Fillimisht Gjeçovi përdori pseudonimin “Lkêni i Hasit” në poezitë që botoi në revistën “Albania”, këtë kryevepër të publicistikës shqiptare të fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, drejtuar Faik Konica.

Më pas, u botua vepra “Agimi i Gjytetniis”. Sigurisht që vepra më madhore e Sh. Gjeçovit është “Kanuni i Lekë Dukagjinit”, botuar në Shkodër, pas vdekjes, më 1933. Këtij botimi i paraprin një biografi e shkurtër, shkruar nga A. Pashk Bardhi dhe vazhdon me një parathënie të gjatë nga Gj. Fishta, të cilën e mbyll me këto fjalë: “Kaq shkrova jo aq për me shtrî nji parathanie kësaj vepre, sa për me diftue mallin e pakufîjshëm qi kam per të paharrueshmin auktorin e saj”. Pjesën më të madhe të librit At Gjeçovi ia ka kushtuar vlerave dhe rëndësisë së gjuhës, si elementi kryesor që e dallon identitetin e një kombi nga një komb tjetër, gjë për të cilën paraardhësit e tij, Veqilharxhi e Kristoforidhi, Naimi e Samiu, Çajupi, Fishta apo Mjeda, në krijimet e tyre e kanë vlerësuar gjuhën shqipe, e kanë himnizuar dhe i kanë kënduar asaj, që patjetër kanë ndikuar edhe tek autori i veprës. Këtë ia diktonin edhe vetë rrethanat e kohës, kur trysnia e gjuhës së pushtuesit, por edhe e fqinjëve ishte tejet e madhe.

Atë Gjeçovin e vranë serbët më 14 tetor të vitit 1929 në katundin Zym të Prizrenit ku shërbente si famulltar.

/b.ha./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    20 Nëntor, 13:18

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?



×

Lajmi i fundit

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)

Kickbox/ Skandal në Malin e Zi, arbitri godet me trofe në fytyrë trajnerin kosovar (Video)