Tetori muaji rozë, ja ç’duhet të
bëjë një grua

Çdo vit kanceri i gjirit u merr jetën miliona grave kudo në botë. Për të luftuar këtë sëmundje që rrezikon të kthehet në epidemi, Organizata Botërore e Shëndetësisë, ka shpallur muajin tetor, si muajin e luftës kundër kancerit të gjirit. Një fjongo rozë dhe më shumë vëmendje ndaj këshillave të mjekëve, mund t’i shpëtojnë jetën një gruaje të prekur, pasi ky lloj tumori renditet si një ndër të vetmit e kancereve që mund të parandalohet.

SI ËSHTË SITUATA
Kanceri i gjirit së bashku me kancerin e qafës së mitrës përfaqësojnë vrasësit më të mëdhenj ndër kanceret te gratë. Kanceri i gjirit prek të gjitha gratë por rreziku rritet me rritjen e moshës. Përgjithësish preken moshat mbi 50 vjeç por ka raste të shfaqjes së tij edhe në mosha fare të reja. Kanceri i gjirit është kanceri më i zakonshëm te gratë në mbarë botën i cili ka ardhur duke u rritur veçanërisht në vendet në zhvillim, ku shumica e rasteve diagnostikohen në fazat e vona.

Çdo vit rreth 185.000 gra në Evropë preken nga kanceri i gjirit dhe rreth 44.000 vdesin për shkak të kësaj sëmundjeje. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë në çdo 9-10 gra, njëra do të sëmuret prej kancerit të gjirit. Kanceri i gjirit mund të zhvillohet dhe tek burrat por është shumë i rrallë. Rritja e jetëgjatësisë, urbanizimi dhe adaptimi në rritje i një stili jetese perëndimore janë ndër përcaktuesit e rëndësishëm në rritjen e incidencës së kancerit të gjirit në këto vendet në zhvillim.

Në Shqipëri kanceri i gjirit është kanceri që haset më shpesh dhe zë vendin e parë ndër shkaqet e vdekjeve tek femrat mbi 50 vjeç. Rastet me kancer të gjirit vitet e fundit janë prekur rreth 450-500 gra çdo vit. Por për t’u shënuar mbetet fakti që rastet me kancer të gjirit, tek ne paraqiten në faza shumë të avancuara, kur trajtimi bëhet shumë i vështirë dhe në disa rate i pamundur. Vihet re një tendencë e prekjes edhe të moshave më të reja.

CILËT JANË FAKTORËT E RREZIKUT
Shkaku i kancerit të gjirit ashtu si edhe i gjithë kancereve në përgjithësi nuk është shumë i njohur, por disa faktorë duken se rrisin rrezikun për këtë lloj kanceri. Ndër faktorët më të rëndësishëm të rrezikut për kancer të gjirit janë: a) histori familjare me kancer të gjirit-veçanërisht nëse nëna, motra, vajza apo gjyshja kanë pasur kancer të gjirit, b) një ekspozim i zgjatur me hormone estrogjen-menstruacioni i hershëm, menopauzë e vonshme, mos lindja e fëmijëve apo mosha e vonshme në lindjen e fëmijës së parë, përdorimi i kontraceptivëve pa kriter e pa kontrolluar nga mjeku, etj. Ushqyerja me gji ka një efekt mbrojtës. Rreziqet për kancer të gjirit rriten me rritjen e moshës.
Faktorë të tjerë të modifikueshëm rreziku si përdorimi i alkoolit e duhanit, dieta me ushqime të pasura me yndyrna shtazore, mbipesha e obeziteti, pasiviteti fizik, janë kontribues të konsiderueshëm në barrën e përgjithshme të kësaj sëmundjeje. Studimet kanë treguar se një pjesë e vdekjeve nga kanceri i gjirit në mbarë botën i atribuohen pikërisht këtyre faktorëve.

SI PARANDALOHET
Organizata Botërore e Shëndetësisë promovon kontrollin gjithëpërfshirës të kancerit të gjirit i cili përfshin 1) parandalimin 2) zbulimin e hershëm 3) trajtimin rehabilitues dhe 4) kujdesin paliativ. Ngritja e ndërgjegjësimit të publikut mbi problemin e kancerit të gjirit është strategji kyçe për parandalimin e hershëm të tij. Kontrolli i faktorëve të modifikueshëm të kancerit të gjirit, promovimi i një diete të shëndetshme për uljen e mbipeshës dhe obezitetit, aktiviteti fizik, kontrolli i marrjes alkoolit, kanë një ndikim në uljen e incidencës së kancerit të gjirit në terma afat gjatë.

Pra, femrat nuk mund të ndryshojnë shumicën e faktorëve të rrezikut për kancer gjiri, si sëmundjet familjare ose menstruacionet në moshë shumë të re, por mund të ndryshojnë disa faktorë të tjerë rrisku si peshën, çfarë duhet të konsumojnë, etj.

SI BËHET ZBULIMI I HERSHËM
Por dhe pse reduktimi i disa prej këtyre faktorëve të rrezikut mund të arrihet me parandalim, këto nuk mund të eliminojnë shumicën e kancereve të gjirit. Diagnoza e hershme mbetet një strategji e rëndësishme e zbulimit të hershëm, veçanërisht në vendet në zhvillim si dhe vendi ynë ku sëmundja diagnostikohet në faza të vona. Strategjitë e rekomanduara për zbulimin e hershëm janë rritja e ndërgjegjësimit për kapjen e hershme të shenjave nëpërmjet 1) vetëekzaminimit të gjirit si dhe depistimi nëpërmjet 2) ekzaminimit klinik të gjirit dhe 3) mamografisë për të identifikuar individët me një anomali që sugjeron për kancer.

VETËKONTROLLI MUJOR I GJIRIT
Vet-kontrolli i gjirit është një nga mënyrat e kapjes së hershme të kancerit të gjirit, i cili bëhet duke kontrolluar gjirin nëpërmjet prekjes me duar për të vërejtur nëse ka ndonjë ndryshim të pazakontë tek ta. Duke i kontrolluar gjinjtë rregullisht një femër mëson se si është pamja normale e tyre bëhet familjare me ta, dhe kështu do të vërë re menjëherë ndonjë gjë të pazakontë dhe të shkojë sa më shpejt tek mjeku. Mjaftë raste të kancerit të gjirit janë zbuluar nga vetë gratë të cilat nëpërmjet prekjes së gjirit kanë vërejtur ndryshime të cilat i kanë detyruar të shkojnë tek mjeku.

Vet-kontrolli i gjirit duhet të bëhet 1 herë në muaj duke filluar nga mosha 20 vjeç. Ideale do të ishte të bëhej 3-4 ditë mbas kalimit të periodave, kjo sepse gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm, të tendosur, dhe mund ti ngatërrojnë.

Një femër në çfarëdo moshe që të jetë duhet ta kthejë në zakon kontrollin mujor të gjirit. Është një veprim shumë i thjeshtë që çdo femër mund ta bëjë pa shumë mundim, kur është duke bërë dush, kur është duke ndenjur shtrirë, apo duke qëndruar para pasqyrës. Me dorë, lehtë me lëvizje rrotulluese, kontrollohen me radhë gjinjtë.

Me dorën e majtë kontrollohet gjiri i djathtë dhe pastaj me dorën e djathtë kontrollohet gjiri i majtë, duke përfshirë edhe pjesën e sipërme të kraharorit dhe sqetullat. Një femër duhet të shkojë menjëherë tek mjeku nëse ve re shenja jo normale si: zmadhim apo forcim të gjirit i pazakontë, gjëndra apo mahisje në gji, rrudhosje apo gropëzim të lëkurës së gjirit, njeri gji është më i ulët se tjetri në mënyrë të pazakontë, tërheqje nga brenda e thithave të gjirit ose rrjedhje lëngu apo gjaku prej tyre si dhe çdo gjë tjetër që nuk duket normale.

Por, jo të gjitha gjendrat që mund të dalin në gji janë kancer. Nga ana tjetër, shumë gra para periodave kanë gjoks të fortë dhe të dhimbshëm, por kjo është një gjë normale. Megjithatë, një femër duhet të drejtohet sa më shpejt të jetë e mundur tek mjeku nëse ve re ndonjë ndryshim jo normal në gjinj. Vetëm mjeku mund të bëjë dallimin.

EKZAMINIMI KLINIK I GJIRIT
Ekzaminim klinik i gjirit është një vizitë e gjirit e kryer nga personeli mjekësor i trajnuar. Ekzaminim klinik i gjinjve bëhet së paku çdo 2 vjet. Gjatë ekzaminimit klinik të gjirit një femër duhet të flasë me mjekun e saj rreth rrezikut për kancer të gjirit, sa shpesh duhet të testohen për kancer gjiri, si dhe të diskutojë çfarëdolloj gjëje tjetër që e shqetëson lidhur me këtë.

MAMOGRAFIA
Mamografia është një lloj radiografie e gjirit, një ekzaminim që e kap kancerin e gjirit në faza shumë të hershme, atëherë kur ndryshimet nuk mund të shihen me sy apo të preken me dorë. Mamografia mund ta dallojë kancerin e gjirit rreth 2 vjet përpara shfaqjes së shenjave. Të gjitha gratë, në veçanti ato që kanë faktorë rrisku, nga mosha 40-50 vjeç e lart, duhet të bëjnë një mamografi çdo 1-3 vjet. Kanceri i gjirit mund të shfaqet në çdo kohë madje edhe nga një mamografi tek tjetra. Prandaj mamografia duhet të bërë rregullisht dhe është mjeku ai që sqaron se sa herë duhet të bëhet. Mamografia mund të bëhet në çdo kohë, por është mirë që femrat në moshën riprodhuese ta kryejnë mamografinë në fund të periodave, ose 3-4 ditë mbas tyre. Kjo për arsye sepse para dhe gjatë periodave gjinjtë janë të dhimbshëm dhe disa gra mund ta ndjejnë shtypje dhe dhimbje të lehtë gjatë mamografisë, që për pjesën më të madhe kjo është e durueshme. Mamografia nuk duhet të kryhet sidomos në tre muajt e parë të barrës. Në periudhën e menopauzës kryhet në çdo moment. Nuk duhet ndonjë përgatitje e veçantë paraprakisht për të bërë mamografinë. Është mirë që kur gratë të shkojnë për mamografi, të veshin rroba të veçuara, bluza me fund ose pantallon, sepse duhet të zhvishen nga mesi e lart. Gjithashtu, nuk duhet të përdorin deodorant, pudër, ose të lyhen me ndonjë solucion tjetër trupor, ditën që do të shkojnë për të bërë mamografinë sepse kjo ndikon në rezultatin e saj. Dy janë arsyet kryesore pse gratë hezitojnë të kryejnë mamografinë. Frika nga rezultati i mamografisë si dhe dhimbja gjatë procedurës së ekzaminimit. Por në ditët e sotme, nuk ka pse të kihet frikë, sepse kanceri i gjirit mund të trajtohet në pjesën më të madhe të rasteve, mjafton të diagnostikohet në kohë. Mamografia shpëton shumë jetë grash të cilat vdesin çdo vit nga kanceri i gjirit. Shumë gra janë në jetë sot për arsye se ato kanë bërë depistime të rregullta për kancer gjiri. Lidhur me dhimbjen gjatë procedurës, është e vërtetë se disa gra mund të ndjejnë një shtypje dhe dhimbje të lehtë të gjinjëve gjatë mamografisë, por kjo është e durueshme. Disa prej tyre pinë kokrra që përdoren për dhimbje, 1 orë përpara mamografisë, e cila lehtëson dhimbjen. Një mënyrë tjetër për ta zgjidhur këtë, është të mos shkojnë për të bërë mamografinë 1 javë para ose gjatë periodave mbasi në këtë periudhë gjinjtë janë të tendosur dhe të dhimbshëm. Duhet planifikuar një periudhë tjetër për të bërë mamografinë. Mamografia nuk duhet bërë vetëm një herë në jetë, por në mënyrë të vazhdueshme gjatë gjithë jetës!

SI TRAJTOHET
Kanceri i gjirit është ndër kancerët e vetëm të trajtueshëm. Sot ekzistojnë mënyra të ndryshme të trajtimit si marrja e preparateve të ndryshëm, kimioterapia dhe trajtimi kirurgjikal. Fatmirësisht pothuaj të gjitha mënyrat e trajtimit bashkëkohor ofrohen edhe në Shqipëri. Së fundmi kanë hyrë edhe preparate të cilat rrisin jetë gjatësinë për pacientet në faza të avancuara.

KUJDESI PALIATIV
Në Shqipëri ekzistojnë edhe shërbime të kujdesit paliativ, të cilat janë të pajisur me staf multidisiplinar, të trajnuar për tu shërbyer të sëmurave në faza të avancuara me kancer të gjirit.

*Specialiste e Shëndetit Publik

(s.f/Shqiptarja.com)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 16 Janar, 08:35

    Dhëndri i Trump investitor strategjik për resort në Sazan, si iu duket?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion

Sondazhi/ Nëse votohet sot, PS merr më shumë se 50% të votave, mazhoranca më e pëlqyer në emigracion