* *
Një nga punët tuaja është edhe libri mbi Ismail Qemalin, por kur kam kërkuar librin tuaj, nuk e kam gjetur, ndërkohë që shumë historianë e studiues më kanë dhënë vlerësime për atë libër?
Në fakt është e vërtetë ajo që thatë ju, por unë modestisht mendova se për 100-vjetorin e pavarësisë do të kishte shumë botime apo prurje të reja, apo studime, dhe kështu që mendova se pas 30 vjetësh që libri kishte parë dritën e botimit, mbase do të ishte i tepërt.
Në cilat arkiva keni studiuar për këtë libër, vetëm në Shqipëri?
Sapo mbarova shkollën për histori-arkivistikë, u caktova në Arkivin e Shtetit dhe puna e parë që m’u caktua ishte të hulumtoja dokumente mbi jetën e Ismail Qemalit, për të bërë një botim. Një kërkesë e bërë nga Arkivi i Shtetit drejt Ministrisë së Jashtme turke, në 1981, e cila u pranua, mundësonte që të hulumtoja edhe në arkivat e Stambollit. Ndaj, bashkë me një shoqen time, shkuam në Stamboll ku gjetëm dokumente që janë botuar në libër dhe që për mua mbeten dokumentet më të rëndësishme.
A kishte njohuri për figurën e ismail Qemalit, Enver Hoxha?
Ai jo vetëm që kishte njohuri, por figurën e tij e vlerësonte, e quante arkitekt të shpalljes së pavarësisë dhe diplomat të rangut europian. Enver Hoxha gjithmonë kur fliste për Ismail Qemalin, nuk thoshte rëndom ashtu siç themi ne tani: Isamil Qemali, por Plaku i Vlorës.
Ju keni bërë disa deklarata publike që janë diskutuar dhe njëra prej tyre ka qenë edhe ajo e ditarëve të Enver Hoxhës. A mund të na e shpjegoni këtë çështje?
Bëhet fjalë për 130 ditare, ose blloqe kalendarike.
A bëhet fjalë për 130 blloqe që ai mbante shënime, apo ditarë më vetë?
Jo për ditarë, siç janë me datat përkatëse. Ndër to 100 ishin tamam ditarë, kurse 30 ishin kujtimet e tij. Këto u dorëzuan pas vdekjes së Enver Hoxhës, në shkurt të vitit 1986, në arkivin e Komitetit Qendror. Dorëzimi është bërë në bazë të procesverbaleve dhe më pas në ngjarjet e ’91, i gjithë arkivi i Komitetit u dorëzua në Arkivin e Shtetit. Para disa kohësh, kur doli libri i Blendi Fevziut “Biografi për Enver Hoxhën”, unë shkova në Arkivin e Shtetit dhe kërkova origjinalin e këtyre ditarëve. Ata m’u përgjigjen se nuk ekzistojnë këto ditare në arkivë, ndërkohë që ne kishim procesverbalet e dorëzimit të këtyre ditarëve.
Sot nuk ekziston asnjë?
Asnjë prej këtyre 130 ditarëve nuk ekziston.
Përse e lidhni këtë me librin e Blendi Fevziut?
Jo nuk ka aspak lidhje, ai ishte thjesht ngacmimi për t’i kërkuar. Sepse është folur në media që keni hedhur Blendi Fevziun në gjyq e të tjera si këto, por nuk është aspak e vërtetë.
Përse keni qenë aq kritike ndaj atij libri, znj.Hoxha?
Kam qenë kritike sepse ai libër që në titull ishte një mashtrim për opinionin publik, sepse titulli është biografi e mbështetur mbi dokumente origjinale, dhe madje të pabotuara ndonjëherë. Libri është i ngritur më shumë mbi dëshmitë gojore të disa personave, që sigurisht kanë qenë kundërshtarë të Enver Hoxhës. Nëse kërkon të bësh një biografi, atëherë duhet të marrësh edhe persona që mbështesnin Enver Hoxhën dhe më pas si studiues, bën balancën dhe del me një mendim tëndin. Problemi qëndron tek cilësimi si një biografi, sepse nëse ai do të bënte një libër që do t’a titullonte “Mendimi i Blendi Fevziut për Enver Hoxhën”, atëherë as nuk do të më interesonte fare. Biografia në vetvete është një botim serioz, shkencor dhe i mbështetur mbi dokumente.
Zonja Hoxha, kalojmë tek çështja e bibliotekës së Enver Hoxhës, si ishte ajo?
Biblioteka e Enver Hoxhës mund të them se ishte biblioteka personale më e pasur dhe më me shumë libra. Ajo ka pasur rreth 25 mijë kopje librash. Ai ishte jo vetëm një lexues i kualifikuar, por kishte edhe kujtesë të jashtëzakonshme.
Ku janë këto libra sot?
Në ’91, kur ne u larguam nga shtëpia, Nexhmija vendosi që bibliotekën t’a linte ashtu siç ishte, sepse ajo mendonte se biblioteka ishte një pasuri kombëtare. Por ajo bibliotekë, mund të them, u vodh, dhe tani gjenden vetëm 2.700 kopje, të cilat u dërguan në Bibliotekën Kombëtare dhe nuk janë ruajtur si “biblioteka e Enver Hoxhës”, por e kanë shpërndarë në të gjithë fondin e bibliotekës, si libra të zakonshëm.
Çfarë librash kishte në atë bibliotekë?
Aty kishte libra shumë të mirë dhe kryesisht ajo kishte libra në frëngjisht, pasi Enveri e zotëronte shumë mirë atë gjuhë. Përmbajtja e saj ishte e ndryshme, nga të gjitha fushat.
Znj. Hoxha, kur e keni takuar Enver Hoxhën për herë të parë?
E kam takuar kur kam qenë fëmijë. Unë jam dhe mbesa e Ramiz Alisë dhe për vetë marrëdhëniet e afërta që kishte babai im me xhaxhain, Ramizin, ne pushimet e verës i kalonim bashkë në Durrës dhe aty kam parë për herë të parë Enver Hoxhën. Më kujtohet gjithnjë i veshur elegant, me kostum të bardhë, madje si fëmijë që isha, më bënin çudi edhe këpucët e bardha që ai vishte, dhe shumë herë e kemi takuar në ato kohë, por nuk mbaj mend ndonjë bisedë me të.
Si ka qenë marrëdhënia juaj në familjen e Enver Hoxhës, si funksiononte familja Hoxha? Si jetonit së bashku në një shtëpi edhe pse, mesa unë di, kishit apartamente të ndara.
Kjo ishte edhe një ndër arsyet që Enver Hoxha shtoi një pjesë në vilë, edhe pse nëse sheh në ditarët e tij, ai shkruan se fëmijët kur të martohen, do të dalin me shtëpi më vete. Ne jetonim të gjithë bashkë, por shtëpia ishte e ndërtuar në atë mënyrë që çdo çift kishte apartamentin e tij. Jeta bëhej e përbashkët, çdo darkë hanim e gjithë familja bashkë, të dielave edhe në drekë, dhe festat i kalonim bashkë.
Si ishte marrëdhënia juaj personale me Enver Hoxhën, a kishit ju mundësi të bisedonit gjatë më të?
Me të mund të bëje biseda, unë bisedoja me të për librin e Ismail Qemalit, por ai në shtëpi nuk bisedonte çështje që ishin të punës.
Asnjëherë nuk ju ka rënë rasti të bisedoni çështje që i përkisnin shtetit?
Absolutisht nuk bëhet fjalë të bisedohej për çështje të rëndësishme shtetërore, madje edhe vetë Nexhmije Hoxha vetë ka raste kur dalin çështje dhe ne e pyesim ndonjëherë, ajo thotë që nuk di asgjë. Ajo thotë se Enveri nuk ka folur asnjëherë më të, përsa i përket çështjeve të Ministrisë së Mbrojtjes, të Brendshme dhe të Jashtme.
Një pjesë e rëndësishme e personave nuk e besojnë këtë, madje ato thonë që pas sëmundjes së Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm në punët shtetërore dhe ato të partisë, në atë kohë.
Këto janë fjalë pazari dhe koha do t’i shoshitë këto gjëra.
Cilat kanë qenë marrëdhëniet tuaja me vjehrrën tuaj në atë kohë, dhe si janë ato tani, pasi ju jetoni bashkë?
Unë e quaj fat që kam jetuar në një çati me Nexhmije Hoxhën, sepse ajo është një grua e jashtëzakonshme me plot kuptimin e fjalës. Përveç meritave të saj gjatë luftës e më tutje, por edhe në aspektin njerëzor, ajo është një grua mjaft e kulturuar.
Ju asnjëherë nuk keni pasur kontradikta me të?
Jo, asnjëherë. E në fakt ajo bëri gjithë ato vite burg, duke u dënuar me 11 vite e në një moshë të shkuar, dhe unë jam ajo që e kam ndjekur në burgun e saj. Më pas ishte edhe burgu i Ilirit dhe kështu u bënë të dy familjarët në burg dhe ajo ishte një kohë shumë e vështirë e për të mos folur më edhe për xhaxhain në burg.
Por këto vështirësi, ndonjëherë të lidhin edhe më shumë.
Çfarë ishin për ju Ramiz Alia dhe Enver Hoxha, dy figurat më të rëndësishme të asaj kohe?
Unë jam krenare për të dyja familjet, si nga babai, ashtu edhe nga im shoq. Padiskutim që nuk mund të bëj krahasime, pasi Enver Hoxha ishte tjetër. Por gjëja që më ka bërë më shumë përshtypje te xhaxhai im, ishte zemra e tij e madhe, ai falte.
A duhet t’i bënte Ramiz Alia reformat në një mënyrë tjetër dhe më të shpejtë?
Ai ishte gjithmonë me idenë që gjërat të bëheshin sa më lehtë dhe pa trauma për shoqërinë shqiptare. Ndaj ai, aq pati mundësi dhe aq bëri, mendoj unë.
Gjithmonë kanë shkuar mirë Ramiz Alia dhe Nexhmije Hoxha pas ‘90?
Natyrisht që kanë shkuar mirë, por nuk kanë qenë ato marrëdhëniet e afërta siç kane qenë para ‘91. Kanë qenë takime të rastësishme, një telefonatë, apo urim.
A e shpejtoi vdekja e Mehmet Shehut, vdekjen e Enver Hoxhës?
Unë nuk di të them tani në e shpejtoi si vdekje, por di të them këtë, se Enver Hoxha e ndjeu jashtëzakonisht shumë këtë ngjarje. I krijoi një shqetësim, një angazhim me të madh në punë dhe kuptohet që të gjitha këto, natyrisht se i rënduan shëndetin.
A e vizitonin të huaj Muzeun Kombëtar gjatë kohës që ju ishit nëndrejtoreshë e tij?
Atëherë kishte turistë dhe këtu flas për kohën që unë kam qenë aty, pra nga 1986-1990. Të gjitha delegacionet që vinin në Shqipëri, në një vizitë të programuar, fusnin edhe Muzeun Kombëtar. Një takim që unë kujtoj dhe që më ka lenë mbresa, ka qenë ai me kompozitorin e madh grek, Mikis Teodorakis, ose p.sh. aktori Bud Spencer, rreth vitit 1989.
Ju përmendët marrëdhënien e Enver Hoxhës me Kosovën, madje shumë historianë kanë publikuar disa teza si ajo që Enver Hoxha e shiti Kosovën. Ju si i komentoni këto deklarata?
Ajo që e shiti Kosovën është e papranueshme, pasi të shesësh diçka do të thotë ta kesh pronën tënde. Enver Hoxha nuk kishte ku ta gjente Kosovën, kur kufijtë ishin të përcaktuara. Ai që në fillimet e luftës, Kosovën e ka pasur një nga preokupimet e tij kryesore dhe të partisë komuniste, deri në dërgimin e divizioneve për çlirimin e Kosovës. Më pas, ai ka bërë përpjekje të mëtejshme, por aq sa mund t’i lejohej. Enver Hoxha arriti, dhe këtë e kam të dëgjuar nga Nexhmije Hoxha, që të hiqte dorë nga posti i Kryeministrit dhe Ministrit të jashtëm dhe të bëhej vetëm Sekretar i Parë, vetëm për Kosovën. Sepse, nëse ai do të kishte ato dy poste qeveritare, nuk do të mund t’a mbronte Kosovën, sepse quhej ndërhyrje në punët e brendshme të Jugosllavisë. Ai mundi të mbronte Kosovën me aq sa mundi. Por, p.sh. për demonstratat e ’81, ai nuk ishte në dijeni dhe këtu ngrihet një pikëpyetje e madhe, sesi Sigurimi dhe Ministria e Brendshme nuk dinte asgjë. Por mbrojtja që i bënte në atë kohë Shqipëria, ishte edhe për ta bërë problemin të njohur ndërkombëtarisht.
Një media e huaj publikoi një lajm se Enver Hoxha kishte në plan të sulmonte Jugosllavinë. Ju jeni në dijeni të këtij fakti?
Lajmin e lexova, por nuk mund të flas për këto gjëra, sepse sot shumica e gjërave që thuhen janë vetëm në bazë të fjalëve, por një ditë do të hapen arkivat.
Si kanë qenë vitet tuaja pas rrëzimit të sistemit komunist?
Kur ndodhën ndryshimet dhe protestat u fol që do digjet blloku, pra pas rënies së monumentit, më kujtohet që blloku u rrethua nga njerëzit, ndërsa ne ishim në shtëpi. Pavarësisht se ishte garda që mbronte bllokun, Nexhmija mori tre fëmijët e saj dhe i tha që të largoheshin dhe i dha urdhër komandantit të gardës “Nuk dua që në shtëpinë e Enver Hoxhës të ndodhë shkëmbim zjarri. Shtëpia le të digjet, por unë nuk dua që të derdhet gjak në derën e shtëpisë së Enver Hoxhës”.
A kishit frikë gjatë asaj kohe që ndodhnin ato protesta në Tiranë?
Gjithnjë turmat kanë rrezik, sepse situata mund të dilte jashtë kontrollit, por ne nuk u larguam nga shtëpia.
Si ka qenë jeta juaj, si keni jetuar ju pas ‘90, pasi persona mendojnë se ju jeni një familje e pasur dhe keni biznese?
E kemi dëgjuar dhe ne këtë, madje në ‘92-’93, çdo biznes që hapej thuhej si ishte i djalit të Enver Hoxhës.
Znj. Hoxha, a keni ndërmend të futeni në politikë, ju apo bashkëshorti juaj?
Jo, Enver Hoxha nëse e sheh, u dha profesione fëmijëve që nuk kanë lidhje me politikën, duke i bërë djemtë inxhinierë dhe vajzën arkitekte.
Në 100-vjetorin e shtetit shqiptar, u bënë rivlerësime të disa figurave historike. Sipas jush, ku ishte figura e Enver Hoxhës në këtë kuadër?
Figura e tij në këto festime zyrtare nuk ekzistonte askund, dhe 50 vjet ishin të fshira nga historia.
Por ato të kundërtat, pushkatimet dhe janë vrarë 6 mijë persona për bindje politike...
Pa u hapur dosjet, dhe nuk e kam fjalën për ato dosje që flitet sot, por duke qenë se unë kam punuar me dokumente, e di rëndësinë e tij, dhe ato përmbajnë të vërtetat.
Si ju duken këto 23 vjet të demokracisë shqiptare?
Natyrisht që ka ndryshime dhe arritje dhe çdo shoqëri ka zhvillim, por ne kemi mbetur në fazën e tranzicionit dhe nuk po arrijmë demokracinë e vërtetë.
Shkrimi u publikua sot në gazetën Shqiptarja.com(print), 15 mars 2013
(ad.ti/shqiptarja.com)