Carlos Tevez u kthye më i frymëzuar se kurrë pas pesë muajsh mungesë te Mançester Siti duke ndihmuar këtë skuadër të përmbysë rezultatin në minutat e fundit për të fituar 2-1 ndaj Çelsit në “Etihad Stadium”.

Amerikano-jugori fillimisht fitoi goditjen e këndit nga ku erdhi penalltia e cila më pas u transformua saktësisht nga Serxho Aguero në minutën e 78-të. Më pas, kur kishin mbetur vetëm 5 minuta lojë, ai dha pasimin për golin e Samir Nasri që shkurtoi në 1 pikë diferencën me Mançester Junajtid në kreun e renditjes.

'Carlos nuk është 100%. Atij i duhen më shumë minuta lojë dhe kjo është normale. por ai tregoi se është lojtar i rëndësishëm dhe dha një asist të pabesueshëm për Samir. Odiseja e tij u mbyll 1 muaj më parë, kur Carlos u rikthye tek ne. Nëse ai rikuperohet tamam, do jetë me rëndësi në luftën për titull" tha trajneri i Manchester City, Roberto Mancini.