Tezgjahu i Gjirokastrës nuk gjen treg, artizanja Mirela Dadaj: Po humbet tradita, të rinjtë se preferojnë! Më vjen keq që vajzat e mia s'e vazhduan

Fijet shumëngjyrëshe të leshit i lëviz me shpejtësi sa në një cep në tjetrin. I shtron, i kalon lart e poshtë në tezgjah derisa krijon motivet. Mirela Dadaj e ushtron këtë zanat prej disa vitesh. E ka mësuar tezgjahun nga vjehrra e saj në fshatin "Asim Zenel" të Gjirokastrës.

"Atje ku kam qenë vajzë nuk e kam punuar, kur kam ardhur këtu nuse e kam mësuar nga vjehrra ime. Kam goxha vite, kam 10-15 vite punë. Tezgjahu është gjë e bukur e lodhshme, por është e bukur", thotë ajo. 

Mungesa e tregut në këtë kohë pandemie nuk e ka stepur Mirelën të vijojë punën ndonëse fitimi është i pakët.

"Është punë e mirë por jo me leverdi të madhe. Pandemia bllokoi shumë aktivitete jo më këtë. Çdo të mirë turizmi e sjell, tani që s'ka turizëm, s'ka as shitje", shprehet Dadaj. 

Nga duart e saj dalin qilima, sixhade dhe velenxa me ornamente tradicionale. Disa mozaikë në mes dhe motivet e bordurës anësore që simbolizon shqiponjën dykrerëshe.

Për të realizuar një punë të tillë duhet kohë dhe mundim.

"Procesi nis që nga përpunimi leshit, ngjyrosja, ëndja në tezgjah. Është një proces tejet i gjatë por kur fillon të tërheq vete".

Tradita po humbet, për shkak se punimet artizanale nuk kanë shitje, shumë gra në këtë fshat kanë dalë të papuna. Dikur në këtë punishte ishin 18 vetë.

"Ka 2-3 gra në këtë fshat që punojnë tezgjah. Ka ikur tradita, kjo sa vete e po humbet. Nuk duhet të humbasë asnjëherë. Që me mbylljen e tregut në Gjirokastër s'ka më punë. Ne ecëm shumë mirë për 8-9 vite, ishim gjithë ato gra që punonim këtu, por tani s'ka më", thotë Mirela Dadaj. 

Të rinjtë duket se nuk kanë interes për zejtarinë. Mirela Dadaj nuk ka mundur t'ua trashëgojë zanatin as të bijave.

"E mira është që ta lësh trashëgimi por në këtë kohë që erdhi të rinjtë nuk e preferojnë. Vajzat e mia, njëra iku në emigrim dhe tjetra punon juriste. Më vjen keq se është gjynah të humbasë tradita".

Punishtja ku punon Mirela Dadaj është hapur në vitin 2007 nga ish-kryetari i Komunës së Antigonesë, Ylli Muho, përmes një programi-financimi nga BE. Në 10 vitet e para produktet artizanale të tezgjahut janë shitur deri në Norvegji, ndërsa tani nuk kanë treg.

"Mirela është artizane që është rritur në qendrën "Artizanët e Antigonesë" që u hap në 2007. Këtu u rrit cilësisht dhe ekonomikisht. Për 10 vite punuan disa gra, edhe pse me pagesa simbolike nga duart e tyre dolën produkte që shkuan në tregun europian. Më vjen keq që kjo po shuhet, është një kambanë alarmi për institucionet që duhet të mbështesin financiarisht zejtarinë", tha Ylli Muho.

Qilimat e leshtë të tezgjahut dhe velenxat po zëvendësohen gjithnjë e më shumë me produktet industriale që vijnë nga vendet e Lindjes.

"Në qytetin e gurtë shoh gjithnjë e më shumë mallra kineze, ndërsa produktet nga duart e Mirelës dhe shoqeve të saj kanë mbetur stok dhe gradualisht do të shuhen. Nuk e meriton që në pazarin e Gjirokastër të shiten presh dhe produktet artizanale të mbeten stok apo të shkojnë drejt harresës", shprehet Muho.

K.T./r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 28/03/2021 01:45

    Nuk jane vetem vajzat e tua,nena ime qe eshte ne 80' tregon,se kur ishte adoleshente nena e saj,praktikisht i lutej qe te mesonte grepin,te bente dantella,centro,por ajo nuk donte,i quante demode,mesoi vetem punimin me shtiza.Tani eshte penduar qe nuk e mesoi.Por keni shume te drejte,mallrat kineze jane nje kancer per te gjithe tregjet e prodhimet perendimore dhe kane cilesi e materiale berje te diskutueshem,per te mos folur per menyren si shfrytezohen punetoret ne Kine.Nje sugjerim kam:provoni te shisni on-line !

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër

Sondazhi/ PS dhe PD ndajnë nga 4 mandate deputetësh në Shkodër