Thaçi: Në zgjedhje parlamentare
do të hyjmë pa reformë të thellë

Thaçi: Në zgjedhje parlamentare<br />do të hyjmë pa reformë të thellë
PRISHTINE - Kryeministri Hashim Thaçi e ka pranuar se vendi nuk do të mund të hyjë në zgjedhje parlamentare me reformën e thellë zgjedhore çfarë ishte paralajmëruar më herët.
 
“Nuk mendoj se mund të kemi ndonjë reformë të thellë, sikur se është pritur sepse koha është e shkurtë”, ka thënë kryeministri Thaçi në një intervistë për televizionin publik të Kosovës. Megjithatë, sipas tij, reforma do të përfundojë në muajin mars. Kreu i PDK-së nuk ka pasur datë se kur do të mbahen zgjedhjet, teksa ka ripërsëritur se data e zgjedhjeve sipas tij, do të caktohet nga takimi i përbashkët i spektrit politik. Ai ka folur për  ndryshime që partia e tij do t’i kërkojë në reformë.
 
“Është menduar që qytetarët të kenë mundësi të votojnë edhe 5 kandidatë nga lista për deputet përveç kryetarit të partisë, por është menduar se kjo mund të shkojë deri në 10 deputetë”, ka thënë Thaçi.
 
Edhe fushata paraelektorale, sipas Thaçit duhet të zgjasë 15 ditë, dhe kjo për disa arsye.
 
“Që mos t’i lodhim qytetarët, e të njëjtën kohë mos të bëhen shumë shpenzime. Të ruajmë energjinë, sepse edhe ashtu qytetarët i dinë programet e të gjitha partive”, ka thënë Thaçi.
 
Kryeministri nuk ka zgjatur shumë për takimin e së premtes me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa, por ka pranuar se nisma e AAK-së për mocion mosbesimi ka ndikuar në arritjen e marrëveshjes për të shkuar në zgjedhje në pjesën e parë të vitit.
 
“Qeveria e Kosovës është stabile. Parlamenti ka disa pështjellime jo të shëndetshme. Unë besoj se të gjithë në spektrin politik kosovar kanë synim veprimet e koordinuara e jo në veprime befasuese dhe jo të diskutuara”, ka thënë ai.
 
Ai ka qenë i bindur se do të jetë kryeministër i vendit edhe në mandatin e tretë. Ka thënë se në politikë nuk ka armiq. Nuk ka pohuar e as përjashtuar asnjë mundësi për koalicion. I ka quajtur korrekte dhe mirëkuptuese edhe raportet me Fatmir Limajn dhe Jakup Krasniqin.
 
“Agjendat do të jenë të përbashkëta për të punuar për të mirën e vendit. Është në vullnetin e secilit për rrugën që do të bëjë në politikë”, ka thënë Thaçi.
 
Në pjesën e parë të bisedës, kryeministri Thaçi ka folur për Pavarësinë e vendit. Ai ka folur për përpjekjet e qytetarëve të Kosovës për një shekull për liri. Historiani është ndalur në datat më të rëndësishme që kanë shënuar këtë shekull. Kësisoj i është shmangur pyetjes konkrete për rolin e presidentit Rugova në rrugën për lirinë dhe pavarësinë e vendit.
 
Ai ka përmendur të gjitha shtetet mike që i kanë ndihmuar Kosovës që të fitojë lirinë dhe të bëhet e pavarur. Ka thënë se pa kontributin e Shqipërisë nuk do të mund të arrihej liria.
 
Ai ka thënë se nuk po e kupton pyetjen nëse Kosova është vend sovran, por ka pranuar se në 15 vjetët e kaluara veriu i Kosovës nuk ka qenë funksional. Ai e ka quajtur “intervistë festive” atë të së dielës në RTK.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

'Mbi 100 mijë çekë po vijnë për turizëm në Shqipëri', Spiropali takim me homologen Adamova

'Mbi 100 mijë çekë po vijnë për turizëm në Shqipëri', Spiropali takim me homologen Adamova